Presheva

Protestë në Preshevë për Librat Shkollorë nga Kosova

Protestuesit u mblodhën në Preshevë të enjten nën moton “I duam tekstet shkollore në gjuhën shqipe”, duke bërë thirrje për lirimin e teksteve shkollore nga Kosova të cilët këto gjashtë muajt e fundit janë mbajtur në një terminal doganor në komunë.

“Po kërkojmë që librat t’u shpërndahen fëmijëve e jo të mbahen në terminal,” tha për BIRN Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

Musliu tha se ai i ka shkruar qeverisë së Serbisë dhe ministrisë së arsimit në lidhje me tekstet shkollore – të cilat do t’u shpërndaheshin shkollave fillore në Luginën e Preshevës të Serbisë, me një popullsi të madhe etnike shqiptare – por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Protesta erdhi pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se tekstet janë politikisht të papranueshme.

“Ju doni që tekste nga Kosova apo Shqipëria të përdoren në Serbi dhe doni që nxënësit në Serbi të mësojnë se Kosova është e pavarur. Kjo nuk do të jetë e mundur,” tha Daçiç në parlament në dhjetor.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka thënë gjithashtu se tekstet shkollore që e përshkruajnë luftëtarin e UÇK-së Adem Jashari si hero kombëtar nuk mund të përdoren në shkollat serbe.

Jonuzi argumentoi megjithatë se “nëse nxënësit në Serbi duan të lexojnë në lidhje me Adem Jasharin, ata mund ta bëjë këtë në internet dhe Serbia nuk mund ta pengojë këtë”.

“Autoritetet e Beogradit po i ndalojnë librat shkollorë nga inati. Ky është primitivizëm,” shtoi ai.

Vuçiç ka thënë se “inspektorët përkatëse shkollorë” janë ata që duhet të vendosin nëse tekstet shkollore mund të përdoren apo jo në Serbi.

BIRN pyeti ministrinë e arsimit nëse tekstet shkollore po analizohen apo jo, por nuk mori asnjë përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.

Sipas një marrëveshje të arritur në shtator të vitit të kaluar, Prishtina duhet të furnizonte me tekste shkollore komunitetet shqiptare në Serbi, ndërsa Beogradi duhet të bënte të njëjtën gjë për serbët në Kosovë – hera e parë që të dyja palët kishin arritur një marrëveshje të tillë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Megjithatë, kamionë që po transportonin rreth 100,000 tekste të shkollës fillore nga Kosova në Luginën e Preshevës janë mbajtur nga autoritetet serbe në një terminal doganor.

Që në fillim të vitit shkollor, nxënësit shqiptarë etnikë në Luginën e Preshevës janë pa tekste shkollore, gjë e cila po cenon seriozisht arsimimin e nxënësve, u shpreh Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve.

Sipas regjistrimit të popullsisë të Serbisë në vitin 2002, 61,467 shqiptarë jetonin në Serbi. Shumica e shqiptarëve e bojkotuan regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, kështu që numri aktual nuk dihet ende.

Një numër i konsiderueshëm mendohet të ketë emigruar në Kosovë ose në Evropën Perëndimore në vitet e fundit. Por ata përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së Preshevës.