Protestë në përkrahje të prishtinases që u gjobit për qeshje me zë të lartë

Me moton “Të qeshim me zë të lartë”, një grup i të rinjve sot në orën 23:30 do të organizojë një protestë te sheshi “Zahir Pajaziti”.

Kjo protestë e të rinjve vjen pas gjobës së shqiptuar nga Policia e Kosovës ndaj një qytetareje të Prishtinës pasi kishte qeshur me zë të lartë.

Qytetarja Aida Gashi në mbrëmjen e 17 korrikut kishte publikuar një status në rrjetin e saj Facebook për gjobën që kishte marrë nga Policia e Kosovës.

Ajo kishte shkruar se Policia e Kosovës po neglizhon, sipas saj, rastet më të rënda ndërsa po shqipton gjoba për të qeshura pas mesnatës.

“Dënim me 100 euro gjobe, se po qeshesh me za! Dhunohet dhe vritet një fëmijë 12 vjeçar, policia e neglizhon rastin! Unë dënohem me 100 euro gjobë pse qesha me za! 1 person pa leje, me shpejtësi dyfish ma shume se qe është e lejume, i shkel 2 gra për vdekje; policia neglizhente sepse duhet me më dënu mu te pacipen qe po qeshi me za mas 12ve te natës! Tjetri e dhunon një te mitur, tjetri e mbyt gruan me fëmijë, krejt këto pasoje e neglizhencës se policisë sepse ma se lehti e ka me dale ne qytet e me më denu mu me 100 euro gjobe se qesha me za! Përderisa isha tu e prite një taxi me shoqe, tu qeshe me za edhe tu bisedu, me afrohet Zyrtari i Policisë Fatmir Miftari në uniformë:

Fatmiri: Çka po keshë kështu ?

Unë: A seriozisht po m’ pyte ?

Fatmiri: Je tu keshë shume, mos kesh!

Unë: Me çka po e mate qe po keshi shume?

Fatmiri: Me veshët e mi !

E realisht, është fakt qe unë isha dashtë me qajtë ne duar te kujt jemi! Unë bija yte Kosove, po qeshja me za!”, ka shkruar qytetarja Gashi në llogarinë e saj.

Policia ka arsyetuar gjobën duke thënë se qytetarja ka shkelur Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike.

“Si rrjedhojë e  sjelljeve të cilat bien ndesh me ligjin 03/L-142 për ‘prishjen e rendit dhe qetësisë publike’, të njëjtës i është shqiptuar një kundërvajtje, duke u bazuar në Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike, 03/L-142. Pas pranimit të ankesave të qytetarëve për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, konform autorizimeve policore ka ndërmarrë veprime policore ndaj zhurmës së lokaleve, për të cilat janë shfaqur pakënaqësi për shqetësim nga ndotja akustike”, ka qenë reagimi i policisë rreth rastit.