Protestë më 1 Maj para Qeverisë

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve do të shënohet me protestë të mërkurën në Prishtinë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

“Po, me 1 Maj do të protestojmë te Qeveria”, tha Ajdini .

Sipas kryetarit të BSPK-së, protesta do të mbahet në ora 11:00.

Ndërkohë, protestën e së mërkurës BSPK e ka paralajmëruar edhe përmes një postimi në “Facebook” ku ka dhënë edhe arsyet.

“Kur kontrata kolektive, motivimi i nënave të reja me pushim të shtatzënisë, paga minimale, sigurimi shëndetësor, mbrojtja në punë, bashkë me pakënaqësinë e arsyeshme e të të punësuarit e po ashtu edhe me pakënaqësinë e edhe pamundësinë e atij e asaj për të zënë një vend pune, si dhe krejt këto shprehje të arsyeshme të pakënaqësisë duhen shikuar bashkërisht që shoqëria të marrë rrugën e mbarë, atëherë vërtetë na duhet një 1 Maj më ndryshe”, thuhet në njoftimin e BSPK-së.

Sipas shoqatës e cila mbron dhe promovon të drejtat e punëtorëve në Kosovë, ky 1 Maj do të jetë më ndryshe.

“Pra, në këtë ditë e cila, të besojmë bashkërisht se herëve të tjera do të jemi më ndryshe – për të mirë. Prandaj, më 1 Maj në orën 11:00 bashkërisht për të përbashkëtën më të mirë të dalim te Sheshi Skënderbe ku sheshazi duhet thënë të gjitha”, thuhet tutje në njoftim.

Ky është njoftimi i plotë i BSPK-së në “Facebook”:

Të nderuar punëtorë, qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në ditën e punës 1 Majin, e cila ditë tashmë duhet t’i takojë historisë se shekullit tonë i nevojitet një 1 Maj ndryshe.

Kur kontrata kolektive, motivimi i nënave të reja me pushim të shtatzënisë, paga minimale, sigurimi shëndetësor, mbrojtja në punë, bashkë me pakënaqësinë e arsyeshme e të të punësuarit e po ashtu edhe me pakënaqësinë e edhe pamundësinë e atij e asaj për të zënë një vend pune, si dhe krejt këto shprehje të arsyeshme të pakënaqësisë duhen shikuar bashkërisht që shoqëria të marrë rrugën e mbarë, atëherë vërtetë na duhet një 1 Maj më ndryshe.

Një 1 Maj ndryshe për një shoqëri të lirë në të gjitha segmentet e saj, ligjërisht e rregulluar dhe ligjërisht e mbrojtur ku secili dhe secila të mund të bëjë punën e vet si duhet pa u penguar e pa i ndërhyrë tjetri e tjetrit në punë.

Pra, në këtë ditë e cila, të besojmë bashkërisht se herëve të tjera do të jemi më ndryshe – për të mirë.

Prandaj, më 1 Maj në orën 11:00 bashkërisht për të përbashkëtën më të mirë të dalim te Sheshi Skënderbe ku sheshazi duhet thënë të gjitha.

Avni Ajdini,

Kryetar i BSPK