Protestë e Studentëve për Largimin e Sekretares

Studentët në protestë kërkuan largimin e politikës dhe sekretares Linda Dula Halilabazi nga ky universitet.

Shaban Buza, rektori i Universitetit “Fehmi Agani” u takua me dy nga studentët protestues për të diskutuar lidhur me kërkesat e tyre.

Buza tha se i ka të njohura kërkesat e studentëve, por nuk nuk mund të merret me ato që nuk janë kompetencë e tij.

“Edhe njëherë ua bëra me dije që çashtjet të cilat nuk i përkasin drejtpërdrejt rektorit që janë çashtje të institucioneve më të larta se ju keni pa atje me çashtje politike, ato janë të njerëzve të tjerë. Nëse organet zyrtare bin që njerëzit e caktuar janë të inkriminuar ose që kanë fy në baza e cila është çashtje e hetuesisë unë atëherëë reagoj, përndryshe veç brenda kompetencave,” tha rektori Buza.

Mirëpo studentët këmbëngulin që kërkesat e tyre janë kompetencë e rektorit.

“Ne kemi kërku largimin e zonjës Dula-Halilabazi e cila na ka kërcënuar, shantazhuar në forma të ndryshme. Rektori u deklarua se kjo punë nuk më përket mua, u përket organeve të drejtësisë, por ne thamë që ankesat tona dhe kërkesat që i kemi të merren parasysh dhe asnjëra nga këto kërkesa nuk janë shqyrtuar nga ana e rektorit të cilat janë kompetencë edhe e tij,” tha studenti Ardit Halilaj.

Fjalë të ngjashme për sekretaren e universitetit të Gjakovës tha edhe studentja Merita Raja.

“Linda Dula-Halilabazi mua personalisht më ka kërcënuar me largim nga Universiteti nëse nuk i ndalojmë këto protesta dhe nuk do të diplomoj në drejtimin tim që e kam për edukatore në parashkollor. Ne kemi edhe një padi gjyqësore ndaj zonjës Dula-Halilabazi për të cilën kam dhënë një deklaratë në polici dhe çka është e keqja, përderisa ajo ka pasur një padi gjyqësore në atë javë ajo është zgjedhur sekretare në Universitetin e Gjakovës,” tha Raja.

Sekretarja Linda Dula Halilabazi tha shkurt për KALLXO.com me anë të telefonit “kam zgjedhur heshtjen”, duke mos dashur të flasë për protestën.

Studentët që sot protestuan sot, më 22 maj nisën një peticion për shkarkimin e sekretares që atëherë vetëm e ushtronte këtë detyrë.

Edhe atëherë Dula-Halilabazi nuk e komentoi peticionin.

http://kallxo.com/grupi-studenteve-kunder-u-d-sekretares/