Prorektorët të Padukshëm në Faqen e UP-së

Majran Dema ka përzgjedhur më 15 prill pesë prorektorë që do të jenë përgjegjës për fushat e mësimdhënies, financave, marrëdhënieve ndërkombëtare, cilësisë dhe kërkimeve shkencore në UP.

Megjithatë emrat e këtyre prorektorëve nuk figurojnë në faqen e universitetit që bie ndesh me një ndër premtimet e rektorit për rritjen e transparencës.

Dema arsyetoi mosfreskimin e faqes zyrtare në internet me mungesën e stafit dhe faktin që sipas tij gjithçka është në kompletim e sipër.

“prorektorët janë zgjedhur para një jave, nuk e di pse nuk kanë dalë në faqen e universitetit, ende jemi duke kompletuar stafin dhe nuk është kompletuar gjithçka,” tha Dema për KALLXO.com

Këshilli Drejtues i UP-së ka votuar kandidatët e propozuar nga rektori për prorektorë: Naser Sahitin, prorektor për mësimdhënie, Myrvete Badivukun për financa, Afrim Hotin për marrëdhënie ndërkombëtare, Teuta Pustina Krasniqin  për cilësi dhe Faton Berishën për kërkime shkencore.

Prorektori i zgjedhur për mësimdhënie Naser Sahiti kishte kandiduar edhe vetë për pozitën e rektorit në konkursin e parë të shpallur i cili u përsërit për shkak se asnjë kandidat nuk mori votat e mjaftueshme.