Propozohen Ndryshime Ligjore për të Mbështetur Gratë në Trashëgimi

Ndërkohë që fjalën e saj e nisi me kritika për ata që munguan në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni parlamentar për Legjislacion lidhur me Ligjin për Trashëgiminë, kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu mirëpriti rekomandimet e shoqërisë civile, veçanërisht të Rrjetit Ballkanik të  Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova.

Deputetja Haxhiu kritikoi mungesën e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe të përfaqësuesve të Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor.

“Për këtë projektligj tashmë janë proceduar disa amendamente nga deputetët, një prej tyre jam edhe unë. Janë amendamente të cilat i ka propozuar BIRN-i por unë duke qenë në qëndrim të njëjtë me BIRN-in i kam propozuar si amendamente”, tha Haxhiu.

Nga rekomandimet e BIRN dhe Internews Kosova që gjeti mbështetje ishte ai që ndryshimet në legjislacion të shmangin në të ardhmen rastet si ai i Shyhrete Berishës.

Rekomandimet janë bërë në kuadër të projektit të zbatuar nga BIRN dhe Internews Kosova e të mbështetur nga ATRC që ka të bëjë me angazhimin për barazi (E4E).

“Amendamenti i parë është, kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit në vend të tij hyjnë me zëvendësim bashkëshorti/ja apo fëmijët e tij”, tha Haxhiu.

Një rekomandim tjetër i propozuar nga BIRN dhe Internews Kosova ishte që rastet e trashëgimisë të incizohen me zë dhe pamje.

“Duke ditur që kemi pasur raste që palët janë ankuar në gjyqtarin apo noterin, që janë kequdhëzuar, kemi propozuar që seanca informuese dhe ajo për heqje dorë nga trashëgimia të jetë e filmuar me video dhe audio incizim përpos procesverbalit”, tha Labinot Leposhtica nga BIRN/Internews Kosova.

Edhe ky rekomandim nga kryetarja e Komisionit për Legjislacion u tha se është bërë amendament.

“Rekomandimet që i përmende janë bërë amendamentime, si çështja e dëshmitarëve që nuk mund të jenë të rrethit të ngushtë të familjes por edhe çështja e video-incizimit”, tha Haxhiu.

Rekomandime lidhur me Projektligjin për Trashëgiminë u dhanë edhe nga përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile.

Donjeta Elshani nga organizata “Polis” tha se në disa raste duhet të ndalohet heqja dorë nga trashëgimia.

“Ne propozojmë që mos t’u lejohet grave apo personave që janë në gjendje të vështirë ekonomike të heqin dorë nga e drejta e tyre në pronë”, tha Elshani.

Qëndrimet e tyre lidhur me këtë Projektligj i prezantuan edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, dhe anëtarët e tjerë të Komisionit për Legjislacion, Pal Lekaj, që është kryesues dhe deputeti Agim Aliu.

BIRN dhe Internews Kosova lidhur me Projektligjin për Trashëgiminë, Projektligjin për Procedurën Jokontestimore dhe atë të Noterisë ka dorëzuar në Komisionin për Legjislacion rekomandimet me ndryshimet që duhet të bëhen me qëllim të përmirësimit të pozitës së gruas në pronë dhe është pjesë aktive e grupeve punuese lidhur me këto projektligje.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rastet e grave dhe vështirësitë që ato hasin për sigurimin e të drejtave të tyre në pronë.