Propozime të Ndryshme për Financimin e RTK-së

Këto propozim-ndryshime ishin sjellë për miratim në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ndërsa pikë  kryesore e këtij plotësim – ndryshimi është financimi i RTK-së.

Propozime të ndryshme për këtë çështje kishte nga deputetët e koalicionit LDK-PDK, Alma Lama dhe Xhevahire Izmaku, të cilat edhe kritikuan njëra-tjetrën në lidhje me propozimet e tyre.

Në mbledhjen e kaluar kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli i kishte shkuar një  letër nga Unioni i Transmetuesve Publikë Evropianë (EBU) dhe për këtë arsye se edhe Ministria e Financave kishte kërkuar konsultime shtesë, përpara se komisioni të dalë me propozimin e mënyrës së financimit të RTK-së.

Alma Lama deputete nga radhët e LDK-së tha se kjo letër e dërguar nga EBU-ja është alarmuese, pasi që një gjë  e tillë sipas saj nuk është në politikat e kësaj organizate, në të cilën bëjnë pjesë mediume të mëdha që pavarësinë editoriale e kanë temë kryesore.

“Unë nuk e kuptoj se si kjo organizatë ka ardhur dhe na ka thënë neve financojeni nga shteti. Ose mund të jenë të korruptuar nga RTK-ja, ose ata janë aq naivë dhe nuk e kuptojnë se nuk mund të funksionojë një televizion që paguhet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit,” tha Lama.

Por ndaj këtyre fjalëve të saj për EBU-në reagoi deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku.

“Është akuzë goxha e rëndë që me thënë që EBU-ja është korruptuar nga RTK-ja dhe mendoj që Alma duhet ta ketë një fakt për me e diskutu këtë gjë në mbledhjen e komisionit,” tha Izmaku.

Alma Lama pastaj propozoi në mënyrë kategorike që RTK-ja nuk duhet të financohet nga buxheti i shtetit tërësisht, “edhe pse po e shoh se rrjedhat po çojnë në atë drejtim, sidomos nga PDK-ja dhe nga qëndrimi i juaj që e kam parë në të gjitha mbledhjet”.

Lama deklaroi se nëse RTK-ja financohet nga shteti bëhet televizion shtetëror dhe jo publik. Ajo kërkoi që përsëri të kthehet mënyra e financimit të televizionit publik nga parapagimi përmes faturave të KEK-ut, edhe pse një mënyrë e tillë financimi ishte ndaluar nga Gjykata Kushtetuese.

Ndaj fjalëve të Lamës për PDK-në reagoi Izmaku.

“Që PDK-ja është duke shkuar kah propozimet, mendoj që është pak e ngutshme, sepse Alma nuk e di as çfarë propozimesh ka PDK-ja,” tha Izmaku.

Megjithatë, Izmaku e pranoi se qëndrimi i PDK-së për financimin e RTK-së është i njëjtë me atë të EBU-së.

“Transmetuesi publik aktualisht ka 11 milionë plus dy milionë nga reklamat, ndërsa propozimi i EBU-së është që të jetë përafërsisht i njëjtë me vendet siç janë Shqipëria, Bosnja të cilat i kanë rreth 17 deri në 22 milionë euro në vit, ku mbulohet edhe pjesa ku transmetuesi aktual publik ka nevojë për të rinovuar edhe produksionin, por edhe të kryejë procese siç është digjitalizimi,” tha Izmaku.

Deputetja e PDK-së tha se pavarësia editoriale e RTK-së është më e rrezikuar tash, sesa sikur t’i ishte ndarë buxheti në fillim të vitit.

[interaction id=”56f2b143a01a31a05d325d8c”]