Gjykimi për narkotik- Mitrovicë

Pronari i shtëpisë ku u gjet droga pranon fajësinë, por jo edhe të akuzuarit tjerë

 

Gjykimi ndaj Bledjan Xhepi, Suljot Sylejmani, Afrim Ala dhe Kenan Gashi, të cilët nga prokuroria akuzohen për më shumë se 5 kg marihuanë ka vazhduar në gjykatën e Mitrovicës.

Me rastin e deklarimit rreth veprës penale me të cilën akuzohen nga organi i akuzës, njëri i pandehur e ka pranuar fajësinë ndërsa tre të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.

I pandehuri Suljot Sylejmani, para trupit gjykues me kryetar Sinisha Mandushiq dhe antarë Nurije Shala e Tomislav Petroviq ka deklaruar se ndjehet fajtor për veprën penale.

“Unë fajsinë e pranoj sepse droga ka qenë e imja, Kenan Gashi dhe Afrimi Ala nuk kanë qenë në dijeni që drogën e kam në shtëpi, dhe Bledjan Xhepi drogën nuk ma ka sjellë“, tha Sylejmani.

Ndërsa të pandehurit tjerë Bledjan Xhepi, Afrim Ala dhe Kenan Gashi janë deklaruar se nuk ndihen fajtor.

Pranimin e fajësisë nga i pandehuri Sylejmani nuk e ka mbështetur prokurori i rastit Ismet Ujkani.

Ai i ka propozuar gjykatës që të mos pranohet pranimi i fajsisë për të pandehurin, sepse sipas tij nuk është në përputhje me provat dhe shkresat e lëndës.

Por atë e ka mbështetur mbrojtësi i të akuzuarit avokati Gani Rexha.

“Konsideroj se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit sepse droga marihuhanë e cila është konfiskuar është gjetur në pronën  e të akuzuarit. Pastaj nga të dhënat që ekzistojnë në shkresat e lëndës është vertetuar në pa mëdyshje se ditën kritike i mbrojturi im me dy të akuzuarit tjerë kanë qenë duke rregulluar një kotec të pulave që dëshmon se dy të akuzuarit tjerë ditën kritike kanë shkuar për t`i ndihmuar të akuzuarit në ndërtimin e këtij koteci dhe se kurrfarë lidhje nuk kanë pasur në këtë sasi të drogës“, tha Rexha.

Ndërsa pas një pauze disa minutshe trupi gjykues me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë për të pandehurin Suljot Sylejmani, kurse procedura gjyqësore ka vazhduar për të pandehurit Bledjan Xhepi, Kenan Gashi dhe Afrim Ala.

Sipas Prokuroris së Mitrovicës të pandehurit Suljot Sylejmani, Afrim Ala dhe Kenan Gashi akuzohen se si anëtarë grupi pa autorizim janë furnizuar me substanca narkotike dhe të njëjtat i kanë poseduar me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes.

Akuza e Prokurorisë thotë se substancën narkotike prej 5.44.9 gramë të cilën i pandehuri Suljot Sylejmani e kishte blerë nga i pandehuri Bledjan Xhepi e kishte poseduar në maj të vitit 2018, dhe nga kontrollet të cilat i kishte bërë policia duke kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse në pronësi të Ilir Sylejmanit në Frashër të Mitrovicës, kishte takuar të pandehurit.

Me këtë rast ishin gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike të llojit marihuanë në dhomën ku kanë qenë duke qëndruar të pandehurit, dhe atë dy qese paketime njëra me peshë 55.3 gram dhe tjetra peshë 27.5 gram.

Gjithnjë sipas akuzës kur i pandehuri Suljot Sylejmani në vendin e ngjarjes ishte pyetur nga policët se a ishin në dijeni për substancën narkotike dy të pandehurit Kenan Gashi dhe Afrim Ala, i pandehuri Sylejmani ishte përgjigjur se të njëjtit kishin dijeni për substancën nakrotike pasi që sipas tij ata kishin qëndruar bashkë në objektin ku ishte sasia e drogës.

Ndërsa në objektet përcjellëse ishin gjetur 42.4 gramë, në objektin e banimit ndihmës ishin gjetur dhe konfiskuar 3 paketime të mbështjella me foli të najlonit, ku brenda tyre kishte 10 qese tjera me sasi të vogla të marihuanës e cila pas matjes kishte rezultuar me peshë 521.6 gramë, në katin përdhesë të shtëpisë të mbushur me ushqim të bagëtive ishin gjetur një qese najloni me marihuanë me peshë 3.795 gramë, dhe një qese najloni ku brenda ka pasur 19 paketime me qese të vogla me sasi të marihuanës e cila pas matjes ka rezultuar me peshë rreth 1.004.1 gramë, e gjithsejt me peshë 5.445.9 gramë.

Kurse pas ekzaminimit laboratorik rezultati i ekspertit ka treguar se është prezent kanabisi (marihuana) që e përmban Tetrahidrokanabinol (THC).

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në këtë rast i akuzuar edhe Bledjan Xhepi, shtetas nga Shqipëria , për të cilin në akuzë thuhet se në prill të vitit 2018 te Tunelli në Mitrovicë pa autorizim i ka shitur substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurit Suljot Sylejmani.

Akuza thotë se sasia e shitur ishte 5 kg e 445.9 gram marihuanë, të cilën i pandehuri Bledjan Xhepi ia kishte shitur tashmë të pandehurit tjetër Sylejmani në vlerë prej 1700 euro.

Më pas seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga palët në këtë rast.

Prokurori Ismet Ujkani në fjalën e tij ka thënë se nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës e të cilat edhe janë propozuar në aktakuzë do të rezultoj se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen nga prokuroria.

Sipas prokurorit nga provat e nxjerrura do të rezultoj se i pandehuri Bledjan Xhepi i ka shitur substancen narkotike të pandehurit Suljot Sylejmani ashtu siç theksohet në dispozitiv të aktakuzës, poashtu se edhe të pandehurit tjerë në këtë rast kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen si në aktakuzë.

Avokati Mahmut Halimi i cili në këtë rast e përfaqëson të pandehurin Bledjan Xhepi ka thënë se i mbrojturi i tij padrejtësisht po mbahet që një kohë të gjatë në paraburgim. Sipas tij tani ka një rrethanë të re e ajo është pranimi i fajësisë për veprën nga i akuzuari Suljot Sylejmani.

“Tani kemi edhe një situatë të ndikuar nën rrethana të reja e ajo është çështja e deklarimit të të akuzuarit Suljot Sylejmani fajtor, i cili e ka pranuar fajësinë dhe se me deklarimin e tij së bashku me proceverbalin mbi identifkimin e të akuzuarit ka qenë provë e vetme e cila padrejtësisht klientin tim e mban në paraburgim që një kohë të gjatë“, tha Halimi.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Ala, avokati Vehbi Bbeqiri ka thënë se nuk janë përmbushur standardet për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet sipas aktakuzës, kurse turpi gjykues do të bindet nga procedimi i dëshmitarëve dhe provave se nuk do të vërtetohet pretendimi si në aktkauzë edhe pse ishte barrë e organit e aktakuzës e jo tani e palës mbrojtëse ofrimi i provave për të dëshmuar fajësinë.

Kurse Xhelal Hasni mbrojtës i të akuzuarit Kenan Gashi ka theksuar se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk mund të konsideroj se mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Kenan Gashi ka kryer veprën penale sipas aktkauzës.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari i vetëm në këtë çështje, S. S. për të cilin kryetari i trupit gjykues Sinisha Mandushiq ka njoftuar se nga fletkthesa shkruan se i njëjti gjendej në shërim jasht vendit, gjë për të cilën gjykatën e kishte lajmëruar edhe vëllau i tij.

Gjithashtu me aktvendim nga trupi gjykues është terhequr dënimi prej 250 euro ndaj avokatit Gani Rexha për mos prezencen e tij në seancën e kaluar.

Sipas trupit gjykues i njëjti e kishte arsyetuar mungesën.