Pronari i Restoranit të Djegur në Gjakovë Kërkon Kompensim

Restorani që ishte kapluar nga zjarri i madh mbrëmë në Gjakovë sot i përngjante një gërmadhe.

Visar Morina, pronar i restoranit të djegur “Kalaja” tha për KALLXO.com se ky zjarr kishte ardhur nga rrjeti elektrik ndërsa dëmi i shkaktuar, sipas tij, kalon vlerën 200 mijë euro.

“Ka fillu rryma me pas lëvizje të shumta dhe në atë moment unë e kam lajmëru KEDS-in, mu ka lajmëru dikush aty edhe ju kam thënë se në rrugën “Wesley Clark” ka problem me rrymë te Hotel “Kalaja” edhe po vërehet se është problem i madh se ka shumë ndërpremje të rrymës. E kemi nalë rrymën edhe ju thash mundësisht lajmëroni urgjentisht… Kam dal jashtë aty në oborr edhe për 10-15 minuta e kam vërejtë se është ka i del flaka atje nalt te kablla e rrymës”, tha Morina.

Morina thotë se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të kërkojë kompensimin e dëmit nga KEDS-i.

“Sipas mendimit tim mbi 200 mijë euro ose ma shumë, nuk e di këtë raport do ta bëjmë, se kemi me raportu edhe në polici. Policia e ka lypë vlerën e dëmit sipas shënimeve, do ta ndjekim me gjyq, me prokurori, me çdo mjet që është i mundshëm sepse kjo nuk ka pas defekt këtu te na mrena veç ka ardhë rryma prej kabllës kryesore”, thekson ai.

Por KEDS ka mohuar të jetë përgjegjës për zjarrin e shkaktuarnë restorantin e Morinës.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS, tha për KALLXO.com se punëtorët e kësaj kompanie kanë reaguar menjëherë për t’u siguruar që zjarrfikësit të mos kenë kontakt me energjinë elektrike gjatë operacionit të shuarjes së zjarrit.

“Mund të konstatohet se në bazë të të gjeturave, vatra e zjarrit nuk është ne pikën matëse. As stabilimentet shpërndarëse nuk janë të dëmtuara. Pra, mund të konkludohet se zjarri nuk është shkaktuar si pasojë e energjisë elektrike”, tha zëdhënësi Buzhala i cili ka dërguar edhe disa fotografi të gjendjes së orëmatësit elektrik pas këtij incidenti.