Promovohet romani ‘Vrasje në kornizë’ i Florin Kelmendit

Nën kujdesin e Shtëpisë Botues “Gjon Buzuku” është promovuar sot, 16 janar 2019,  në Sheshin 21 në Prishtinës romani “Vrasje në kornizë” i krijuesit Florin Kelmendi.

Romani rrëfen një periudhë mjaft të veçantë të historisë së Kosovës, duke sjellur momente dhe ngjarje të cilat në një mënyrë janë përjetuar dhe prekur edhe nga vetë autori i këtij romani, Kelmendi.

Përmes krye-protagonistes së romanit “Vrasje në kornizë” jepet një pasqyrë e gjitha saj që janë përballur qytetarët e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë që nga pas lufta e Dytë Botërore e deri më sot.

Duke vlerësuar veprën e Kelmendit, studiuesit e letrave dhe krijues kanë potencuar se romani ‘Vrasje në kornizë”  është një shëmbëllim pasqyrash që bashkëlidh artin dhe dashurinë, në gjallje dhe amshim, njëkohësisht përforcon bindjen se dashuria e sinqertë e gruas nuk pushon kurrë. Sidomos sa i përket të zhdukurve, të vdekurit e gjallë.

Shkrimtari Shaip Grabovci, në fjalën e tij, ka pohuar ndër të tjerash se “Vrasje në kornizë” është një roman shumështresor ku bashkëjetojnë dashuria, arti, e kaluara, e tashmja dhe individi.

“E gjitha lidhet me një pikturë, një personazh i gjallë”, ka thënë ai.

Studiuesi Behar Gjoka duke vlerësuar romanin, ka pohuar se “Vrasje në kornizë”, është një roman postmodern apo i personazhit, i cilin na kujton për rëndësinë e kujtesës  historike.

“Romani “Vrasje në kornizë” është një shëmbëllim pasqyrash, që bashkëlidh artin dhe dashurinë, në gjallje dhe amshim, ngjizur në një strukturë dhe narrativë mjeshtërore, ofron një botë komplekse dhe magjike”, ka pohuar Ndër të tjerash Gjoka.

Kurse aktorja Safete Rogova e cila disa herë gjatë promovimin lexoi pjesë të romanit ka pohuara se autori Kelmendi përmes rrëfimit të kryepersonazhes dëshmon se dashuria e sinqertë e gruas për rrethin, e motrës për vëllanë, artin nuk pushon kurrë. Sipas saj, prapa rrëfimit të gruas qëndron një burrë, Florini.

“Nganjëherë kam përshtypjen se burrat të njohin më mirë seç ne njohim vetën. Atëherë u përqendrova në sfidën e një burri për ta hulumtuar, karakterin, psikologjinë, ndjeshmërinë, forcën qëndrueshmërinë dhe ambicien e gruas”, ka pohuar ajo.

Ndërsa shkrimtarja Burbuqe Rushiti ka pohuar se autori përmes këtij romani me ngjyrat më të mira të fjalës na pikturon dritëhijet e dashurisë, realitetit dhe ëndrrës, tabusë dhe avangardës në një mjedis ku e reja dhe e vjetra  luajnë fshehtas.

“Duke hyrë thellë në shpirtin e femrës autori, e shpreh në mënyrë brilante ëndrrallën pasionante, dashurinë e ruajtur me xhelozi,  thellë në shpirtin e kryepersonazhe ”, ka pohuar ndër të tjerash poetja Rushiti.

Për libri dhe autorin ka përshëndetur edhe Jahja Lluka, Afërdita Saraçini- Kelmendi, botuesi Abdulla Zeneli dhe në fund edhe autori i romanit Florin Kelmendi.