Promovohet një libër për Masakrën e Dubravës

Organizuar nga Shoqata e të Burgosurve të Kosovës është promovuar sot, 20 maj 2019, në BKK “Pjetër Bogdani” në Prishtinë libri “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” i Enver Dugolli.

Libri “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” është një dëshmi autentike nga një ish i mbijetuar i asaj masakre, Enver Dugolli i cili shpalos kujtimet dhe atë se çfarë përjetoi ai dhe të burgosurit e tjerë në Burgun e Dubravës, në pranverën e viti 1999.

Libri është botuar në vigjilje të 20 vjetorit të Masakrës së Dubravës, ku forcat policore serbe masakruan rreth 160 të burgosur politik shqiptarë që mbaheshin atë kohë të burgosur.

Duke vlerësuar botimin  e këtij libri, studiues dhe veprimtarë politik kanë pohuar se  “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” është një dëshmi e asaj se si dhe kush i vrau të burgosurit dhe shumë të dhëna tjera për ata masakër.

Ndërkaq, për autorin e librit Enver Dugolli, botimi i këtij libri do të kontribuojë  në zbardhjen e së vërtetës së Dubravës dhe vënien në vend të drejtësisë.

Dugolli ka potencuar gjatë promovimit të librit të tij, se për Masakrën e Dubravës duhet shkruar edhe më, pasi siç ka thënë ai, ka mbetur ende shumë për t`u thënë.

“Sigurisht se unë nuk kam mundur t’i them të gjitha ato se çfarë kanë ndodhur gjatë asaj masakre, andaj edhe duhet të shkruhet për të. Krimi që ka ndodhur ka emër dhe mbiemër, ka vulën e krimit gjenocidial të Serbisë fashiste dhe kjo duhet të thuhet gjithandej”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Enver Dugolli ishte njëri prej të burgosurve të shumtë që gjendeshin në Burgun e Dubravës në vitin 1999 gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së kundër caqeve të ushtrisë serbe, rreth datave 19- 25 maj të 1999, polic serbë kishin vrarë në mënyrë brutale rreth 160 të burgosur shqiptar.