Promovohet libri 'Fitorja Diplomatike' i ish-ambasadorit Sabi Kiçmarit

Libri “Fitorja Diplomatike – Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“ i autorit Sabri Kiçmari, i promovuar sot, në Fakultetin Filozofik të UP-së, me rastin e 38 vjetorit te demonstratave të 1981-ës,  përmbledhë në formë ditari, shkrime e kujtimet të ndryshme të autorit të librit, mbi betejën diplomatike të përfaqësuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e luftës dhe të drejtën e Kosovës për shtetësi.

Në fillim, dekani i Fakultetit të Filozofisë të UP-së, Bujar Dugolli ka thënë se aktiviteti jo rastësisht bëhet në këtë fakultet, për shkak se nga këtu më 1981 nisën edhe demonstratat të cilat buruan nga ky universitet dhe si qëllim kishin avancimin e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

“Projekti më i rëndësishme politik i fundshekullit të 20-të i udhëhequr nga Ushtria Çlirimtarë e Kosovës, ishte një projekt që në këtë lëvizje kishte edhe njerëz të ditur, intelektual dhe jo vetëm luftëtarë në vijat e frontit. Pra edhe luftëtarë në fushat diplomatike”, ka thënë dekani Dugolli.

 

Më pas nën moderimin e Durim Abdullahut, Kiçmari ka folur për librin dhe ngjarje më të rëndësishme që ai si diplomat i UÇK-së, ka përfshirë në të.

Si përfaqësues politikë i UÇK-së në botën e jashtme gjatë viteve 1997/99, ish-ambasadori Sabri Kiçmari, profesor në Fakultetin Filozofik të UP-së, ka rrëfyer lidhur me ato që ka përfshirë në librin e tij, takimet e ndryshme me diplomatë të huaj, betejën për të bindur të huaj rreth së vërtetës së UÇK-së, koordinimin me faktorin gjithë politikë shqiptarë etj.

Kiçmari ka thënë se përfaqësimi UÇK-së në të gjitha hallkat ishte serioz dhe kishte kuadro mjaftë të përgatitura, sidomos në fushën ushtarake, duke përmendur heroin Fehmi Lladrovci, i cili sipas tij, ishte më i denjë për të zëvendësuar Adem Jasharin, për të udhëhequr luftën çlirimtare.

Edhe në rrafshin diplomatik ka pohuar Kiçmari, UÇK-ja përfaqësohej mirë dhe ai dhe përfaqësuesit e UÇK-së, kaë zhvilluar takime me përfaqësues të huaj, me të cilët sipas tij, kontaktet viheshin direkt pa pasur nevojë për ndërmjetësues.

“Të gjitha takimet me ministra dhe zyrtarë tjerë të vendeve të BE-së, me pak përjashtime janë bërë në kontakt direkt me ta, pa pasur nevojë për ndërmjetësime”, ka thënë Kiçmari.

Kiçmari ka folur edhe për punën që është bërë gjatë Konferencës së Rambujesë, dhe aspekte tjera që kanë karakterizuar periudhën sa ai ishte përfaqësues politik i UÇK-së në botën e Jashtme.