Promovohet katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Muzeu i Kosovës ka promovuar sot, më 10 dhjetor 2018, katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail, “Qasja taktile”.

Promovimi është bërë në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës dhe përmes këtij katalogu personat e verbër dhe me dëmtime në të parë, do ta kenë më të lehtë përjetimin dhe njoftimin me një pjesë artefakteve të muzeut të Kosovës përmes prekjes.

Duke vlerësuar botimin e këtij katalogu, ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi ka thënë me këtë rast se përmes imazheve taktile të paraqitura, katalogu sjell një pjesë të koleksionit të Muzeut më afër te personat e verbër dhe me dëmtime në të parë.

Sipas tij, shkrimet në alfabetin e Brail-it do t’u japin mundësi personave në nevojë të kuptojnë më shumë për historinë dhe tregimin e objekteve në Muzeun e Kosovës.

“MKRS-ja do të vazhdojë të përkrah aktivitete të kësaj natyre për të qenë më afër personave në nevojë”, ka pohuar ministri Gashi.

Kurse përfaqësuesi i Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuku ka pohuar se realizimi i këtij projekti ka rëndësi të jashtëzakonshme për personat e verbër dhe me dëmtim në të parë.

“Është një mundësi shtesë për ne që të njohim të kaluarën e popullit tonë, që përmes ndjesisë së prekjes të njohim arkeologjinë e Kosovës”, ka potencuar ai.