Promovohen pesë libra për historinë e Skënderbeut dhe mesjetën shqiptare

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike e Tiranës kanë promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” disa prej veprave më të rëndësishme për Skënderbeun dhe mesjetën shqiptare.

Promovimi i këtyre veprave është bërë në kuadër të aktiviteteve që po mbahen për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së  Skënderbeut.

Vepra e promovuar: “Skënderbeu dhe porositë për shekullin XXI” nga Jakup Krasniqi, “Balshajt” të Pranvera Bogdani, “Studime për Skënderbeun” nga Aleks Buda, “Nga Shkodra gjer në Vlorë” i Konstantin Jireçek dhe libri “Regjistri i Sanxhakut Arvanid”, përmbajnë materiale dhe të dhëna me interes për shkencën historike shqiptare, por edhe më gjerë, për periudhën e mesjetës.

Duke veçuar rëndësinë e këtyre librave, drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinës, Sabit Syla ka thënë se këto vepra janë kontribut i veçantë që pasurojnë edhe më tej fondin e bibliografisë për periudhën e mesjetës në përgjithësi dhe për historinë shqiptare në veçanti.

“Veprat e promovuara janë rezultat i punës disa veçuare kërkimore që autorët kanë realizuar nëpër arkivat kombëtare dhe ndërkombëtare, duke sjell kontribute për avancimin e mëtejme të kontributeve shkencore për historinë shqiptare posaçërisht për periudhën e Skënderbeut”, ka thënë drejtori Syla.