Promovimi i librit historiografik "Kosova" të Jusuf Buxhovit - Foto: KALLXO.com

Promovohen në Prishtinë tri vëllimet e fundit të projektit ‘Kosova’ të Jusuf Buxhovit

Historian dhe publicisti Jusuf  Buxhovi ka promovuar sonte në Prishtinë tri vëllimet e fundit të projekti  historiografik “Kosova”, me të cilat edhe përmbyll projektin mbi historinë e shtetit të Kosovës, që nga antikiteti deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Promovimi është mbajtur në librarinë “Dukagjin” në kryeqytet, ndërsa vjen pas një sërë promovimesh të bëra në qytetet të ndryshme shqiptare të këtyre tre vëllimeve.

Libri “Kosova”, pjesa VI, VII dhe VIII përfshinë një periudhë mjaft të ndryshme të historisë së Kosovës dhe shqiptarëve të mbetur në ish-Jugosllavi.

Libri i gjashtë përfshin ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001, ndërsa në të shtatin janë përfshirë ngjarjet që karakterizuan zhvillimet në Kosovë në 2002-2008.

Kurse në vëllimin VIII janë përmbledhur dokumentet të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me vendimet e Shën Stefanit, të Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që sipas folësve në këtë promovim kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve.

Për librin kanë folur botuesi Nazmi Rrahmani dhe studiuesi Ramdan Musliu, si dhe autori Jusuf Buxhovi.