Adem Grabovci në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Prokurorja tregon pse i nisi hetimet ndaj Adem Grabovcit dhe Prontos

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, kundërshtoi të hënën kërkesat e avokatëve të të akuzuarve në rastin e aferës së përgjimeve ‘Pronto’ për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Sipas saj, rasti ka të bëjë me ndarjen e posteve publike në bazë të afërsisë partiake.

Në këtë aktakuzë janë përfshirë zyrtarë të lartë të PDK-së, në mesin e të cilëve edhe ministra e deputetë.

Hajdari e mori fjalën në seancën e sotme gjyqësore pasi gjykatësi i rastit Shasivar Hoti mori mendimet e avokatëve dhe të të akuzuarve, të cilët e kundërshtuan aktakuzën e ngritur në prill të vitit të kaluar.

“Kjo çështje penale trajton një fenomen të ndarjes së posteve mbi baza politike apo mbi baza personale. Këtu u dëgjua nga një avokat se aktakuza është ngritur nën presion të mediave çka nuk është e vërtetë. Është e vërtetë se Prokuroria ka inicuar hetimin më bazë të asaj se çka ka dëgjuar në media dhe ky është një obligim i Prokurorisë dhe nuk është as hera e parë e as hera e fundit që Prokuroria të fillojë një hetim në bazë të informimit në media”, tha Drita Hajdari.

Në këtë rast, ajo citoi një pjesë të aktakuzës ku thuhet se “rasti konkret i ashtuquajtur rasti “Pronto”, shkaktoi shqetësim dhe interes të madh publik sepse për herë të parë në Republikën e Kosovës janë publikuar metodat e punësimit nëpërmes disa individëve ndërmjet disa grupeve të vogla të interesit”.

“Aktakuza e Prokurorisë kryesisht sulmohet për shkak të aplikimit të masave të fshehta dhe përdorimit të masave të fshehta nga një rast tjetër penal i quajtur si rasti i MTI-së ku në hetim ishte tani i pandehuri Adem Grabovci”, tha Hajdari.

“Poashtu do të doja të ju njoftoja se këto biseda inkriminuese të cilat prokuroria i ka marrë si provë, nga provat për ngritje të aktakuzës nuk kanë qenë të njohura e madje as të transkriptuara nga prokurori i EULEX-it, në rastin e të pandehurit Adem Grabovci, ata që i posedojnë këto përgjime mund ta shohin qartë se përgjimet në çështjen penale të MTI-së dhe transkriptimet ishin mbi bazën e çështjes penale që është hetuar në atë kohë. Të gjitha këto masa të fshehta janë aplikuar me urdhër të Gjyqtarit te Procedurës Paraprake andaj janë të ligjshme”, tha prokurorja sepciale.

Ajo tha se në një situatë të tillë, me t’i dëgjuar në media këto përgjime, është siguruar që këto biseda të transkriptohen nga “për herë të parë nga Policia e Kosovës”.

“Me t’i pranuar këto transkriptime dhe me të siguruar edhe prova të tjera materiale të paraqitura në aktakuzë, Prokuroria ka ardhur në përfundim se me veprimet e të pandehurve konsistojnë veprimet penale si në aktakuzë”, tha Hajdari.

“Pothuajse të gjithë avokatët janë thirrur në atë se këto përgjime është dashtë me u shkatërru, por nuk janë shkatërru, dhe askund nuk thuhet se këto prova nuk është dashtë me u përdorë pasi nuk janë shkatërru, Prokuroria nuk ka mundë me i mbyllë sytë përballë këtyre veprimeve inkriminuese”, tha ajo.

Në këtë seancë, më herët, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre po i kundërshtojnë provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë duke i kërkuar Gjykatës që ta hedhë këtë aktakuzë që, sipas tyre, është e pabazuar në prova.

https://kallxo.com/te-akuzuarit-dhe-avokatet-kundershtojne-akuzat-ne-rastin-pronto/

Këtë qëndrim e mbajti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Adem Grabovci, avokati Florent Latifaj.

“Qëndroj në tërësi pranë parashtresës së dorëzuar për kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës”, tha Latifaj.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollçaku pati kërkesë të njëjtë.

“Edhe unë si mbrojtësit e tjerë kam bërë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës. E kam shpjeguar dhe arsyetuar se pse një aktakuzë e tillë duhet të hedhet nga ana e Gjykatës dhe gjithashtu i kam dhënë të gjitha pretendimet e mija se kam konsideruar se përveç që aktakuza nuk ka asnjë provë të bazuar, të gjitha provat që prokuroria është thirrë nuk vlejnë për këtë proces”, tha Kollçaku.

Avokati Besnik Berisha, i cili në këtë proces mbron të akuzuarin Besim Beqaj pati një vërejtje ndaj trupit gjykues.

“Thatë që i keni pranuar kërkesat tona për hedhje të aktakuzës por nuk na treguat nëse Prokuroria ka kthyer përgjigje në kundërshtimet tona”, tha Berisha.

Në këtë deklaratë të avokatit ndërhyri prokurorja speciale, Drita Hajdari, e cila e përfaqëson këtë aktakuzë.

“Kam vërejtje lidhur me këtë kërkesën e avokatit. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit dhe mbrojtëset e tyre së pari i paraqesin kundërshtimet e pastaj Prokuroria përgjigjet në kundërshtimet e tyre, nuk ka nevojë avokati të vë rregulla”, tha ajo.

Në këtë seancë, avokati Besnik Berisha është paraqitur pa togë në sallë të Gjykatës për çka i është tërhequr vërejtja nga kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti.

Ndërsa avokati Emrush Kastrati, i cili e mbron të akuzuarin Besnik Shurdhaj, pati një version tjetër për këtë aktakuzë.

“Kjo akuzë është ngritur më tepër në presionin e publikit mediatik. Bindja ime është kjo dhe nuk ka të bëjë asgjë më veprime inkriminuese të klientit tim”, tha ai.

Në prill të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.