Foto: Kallxo.com

Prokurorja kërkon ekspert financiar në gjykimin e ish-zyrtarit tatimor dhe kontabilistit

Prokurorja kërkoi sot që të thirret eksperti financiar për të ndihmuar në qartësimin e situatës në gjykimin për keqpërdorim të detyrës ku të akuzuar janë ish-inspektori i ATK-së, Nehat Zeqa, dhe kontabilisti privat, Fisnik Sejdiu.

Prokurorja Besa Limani e arsyetoi kërkesën e saj para trupit gjykues në seancën që u mbajt të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Eksperti në faqen dhjetë të ekspertizës ka cekur se nga deklaratat e dëshmitarëve rrjedh se janë edhe disa shuma financiare që nuk janë në librat e kontabilistit dhe sipas mendimit të prokurorisë eksperti nuk ka mundur ta vërtetojë gjendjen faktike, për arsye se i pandehuri Fisnik Sejdiu nuk i ka pasur të gjitha të dhënat e shkruara në lidhje me rastin. Ndërsa sa i përket mendimit dhe konstatimit, prokuroria deklaron se e konteston këtë mendim me arsyetimin se eksperti nuk i ka pasur të gjitha të dhënat e shkruara në lidhje me rastin dhe propozoj që të ftohet eksperti financiar”, tha prokurorja Limani.

Ky proces gjyqësor që po zhvillohet ndaj Zeqës dhe Sejdiut është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se nuk ishte vërtetuar se të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Nehat Zeqën e kishte shpallë fajtor dhe e kishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa  Fisnik Sejdiu e kishte dënuar me 3 vjet burgim.

Nehat Zeqa dhe Fisnik Sejdiu po përballen me akuzat për pesë vepra penale të keqpërdorimit të detyrës në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, Nehat Zeqa në cilësinë e inspektorit tatimor në Agjencinë Tatimore të Kosovës dhe akuzuari Fisnik Sejdiu, kontabilist privat, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë shpërdorur pozitën e tyre zyrtare. Zeqa akuzohet se gjatë muajit gusht të vitit 2012 fillimisht i ka rekomanduar të dëmtuarit Skender Krasniqi, ndërtues privat, që ta angazhojë për shërbimet e kontabilitetit të akuzuarin Fisnik Sejdiun.

Ndërsa në seancën e sotme, mbrojtësja e të akuzuarit Fisnik Sejdiu, avokatja Kosovare Kelmendi, i kundërshtoi propozimet e prokurores.

“Unë nuk i kuptoj pretendimet e prokurorisë, mandej nuk e kuptoj as qëllimin apo propozimet apo kundërshtimet e pjesërishme që bëri në këtë ekspertiza për faktin se pjesa qe iu referua prokurorja në veçanti duke e cituar faqen 10 te ekspertizës paraqet vetëm rrjedhën respektivisht materialin me të cilën është shërbyer eksperti gjatë përpilimit të kësaj ekspertizës”, tha avokatja Kelmendi.

Mëgjithatë, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi miratoi propozimin e prokurores që eksperti financiar Riza Blakaj të ftohet për ta dhënë vlerësimin rreth kontestit.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 31 janar.

Aktakuza ndaj Zeqës dhe Sejdiut thotë se i dëmtuari është takuar me të akuzuarin Sejdiu më 23 gusht të vitit 2012 në restorantin “Cao” në Prishtinë, me ç‘rast të akuzuarit kanë kërkuar nga i dëmtuari shumën prej 7,500 euro, kinse për t’ia rregulluar obligimet tatimore pranë ATK- së.

Sipas Prokurorisë, këto të holla i dëmtuari ia ka dorëzuar të akuzuarit Fisnik Sejdiu – shumën prej 3,000 euro në të gatshme, si dhe më 4 shtator 2012 shumën prej 1,000 euro në të gatshme, si dhe 2.900 euro në të gatshme po ashtu më 18 shtator 2012 shumën prej 5,000 euro në kesh, duke përfituar në këtë mënyrë shumën e përgjithshme prej 11,900 euro, në dëm të Skender Krasniqit.

Pikat tjera të aktakuzës ngarkojnë të akuzuarit se në mënyrë të njëjtë kanë përfituar shumën e përgjithshme prej 22,870,00 euro, në dëm të Shefqet Gashit, 4,000 euro në dëm Milot Miftarit, 2,500 euro në dëm të Shefqet Avdisë, si dhe 6,000 euro në dëm të Jakup Tahirit.

https://kallxo.com/avokatet-i-kerkojne-prokurores-te-terhiqet-nga-akuza-ndaj-ish-inspektorit-tatimor/