Prokurorja Kërkon Dënim për Shyqyri Haxhën

Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Fikrije Fejzullahu ka kërkuar nga gjykata që ish kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, të shpallet fajtor dhe të dënohet për akuzat të cilat e ngarkojnë.

Fejzullahu e bëri këtë kërkesë gjatë fjalës përfundimtare në seancën që ka të bëjë me rastin e Shyqyri Haxhës, i cili e ka drejtuar njërën nga kompanitë më profitabile në Kosovë gjatë viteve 2009- 2011.

Haxha akuzohet se brenda periudhës 2009- 2011ka keqpërdorur pozitën ngase ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin në gjithsej 53.000 euro.

Prokuroria pretendon se 28 mijë euro nga kjo shumë Haxha i ka tërhequr në para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë eurove me anë të xhirollogarisë bankare.

Në seancën e sotme, Fejzullahu u shpreh e bindur se aktakuza e ngritur është e bazuar.

“Konsideroj që gjendja faktike sipas aktakuzës është vërtetuar qartë, prandaj Gjykatës i propozoj që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, deklaroi prokurorja Fejzullahu.

Avokati Ramë Gashi, mbrojtës i Shyqri Haxhës, nuk u pajtua me kërkesën e prokurores dhe kërkoi lirimin e klientit të tij. Sipas Gashit, aktakuza nuk është e bazuar në faktet dhe provat e administruara.

Ai tha se aktakuza është ushtruar nga ana e prokurorisë jashtë afatit ligjor të zgjatjes së hetimit.

“Aktakuza është ushtruar jashtë afatit ligjor të zgjatjes se hetimit, së paku 26 ditë pas afatit që parasheh dispozitat për zgjatjen e hetimit”, tha ai.

Edhe Shyqyri Haxha u pajtua avokatin e tij, ndërsa deklaroi se prokurorja është konfuze.

“Është mjaftë konfuze, në fjalën e saj përfundimtare sot kjo nuk e di kënd e akuzon”, tha Haxha.

Shpallja e aktgjykimit ne lidhje me këtë rast do te behët nesër.