Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Prokurorja jashtë vendit, anulohet seanca e gjykimit për pjesëmarrje në grupe terroriste

Në gjykimin ndaj Gazmend Halitit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në veprimtarinë e grupit terrorist të njohur si ISIS, është anuluar seanca gjyqësore e paraparë të mbahej sot.

Arsyeja e anulimit të seancës u tha të jetë mungesa e prokurores speciale Merita Bina-Rugova.

Prokurorja përmes një parashtrese e kishte njoftuar Gjykatën se nuk do të mund të jetë e pranishme në Gjykatë pasi që është në një udhëtimi zyrtar jashtë vendit.

Për këtë shkak seanca e planifikuar që të mbahej sot është anuluar dhe e njëjta është caktuar për datën 10 tetor.

Në këtë gjykim, Prokuroria pretendon se Gazmend Haliti me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, duke shkuar në vitin 2013 në Turqi, e nga aty në Siri, ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që ta frikësojë popullsinë dhe t’i shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në Aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Sipas aktakuzës, më 20 shkurt 2014, ata kanë hyrë me veturë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i dënuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata e Apelit këtë dhjetor e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Haliti u dënua me tri vjet e gjysmë burg.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për proceset gjyqësore ndaj Gazmend Halitit. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.