Vendi ku ndodhi plagosja e katërfishtë në Pejë. Foto: Kallxo.com

Prokurorja: E Qartë Aktakuza për Plagosjen e Katërfishtë

Gëzim Hoxha së bashku me dy  djemtë e tij Rrezonin e Rrethimin, janë sjellë sot në Gjykatën Themelore të Pejës, në seancën e dytë të gjykimit ku akuzohen për plagosjen e katër personave me armë zjarri në Pejë.

Gëzim, Rrezon e Rrethim Hoxha, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Plagosja e katër personave në Pejë ndodhi më 7 qershor të këtij viti, ndërsa KALLXO.com shkroi atëherë për të.

Gjyqtari i rastit Sami Sharraxhiu tregoi në seancë se avokatët e tre të akuzuarve kanë paraqitur me shkrim kundërshtimet e aktakuzës dhe provave.

Edhe në seancë Florim Latifi, avokati i Gëzim Hoxhës, Aurora Mulhaxha, avokatja e Rrethim Hoxhës dhe Ramë Dreshaj, avokati i Rrezon Hoxhës, kërkuan nga gjykata hedhjen poshtë të aktakuzës.

Por prokurorja Sahide Gashi duke i cilësuar kundërshtimet e aktakuzës të përgjithësuara, kërkoi që ato trupi gjykues t’i konsideronte të pabazuara.

“Aktakuza është e kjartë dhe e plotë, e mbi të gjitha e bazuar në prova ligjërisht të mbështetura dhe të mjaftueshme”, tha prokurorja Gashi.

Në emër të mbrojtësve, avokati Ramë Dreshaj, tha se në rast se refuzohen kundërshtimet e tyre trupi gjykues të caktojë sa më parë mbajtjen e shqyrtimit kryesor.

Sipas aktakuzës, cak i sulmit të të akuzuarve ishin Nexhat e Bekim Kastrati që kishin pasur një mosmarrëveshje pronësore me të akuzuarit.

“Me datën 07.06.2017 rreth orës 15:05 minuta në Pejë në Rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në kafiterinë ‘Brigde 2’pas mosmarrëveshjes paraprake mes tyresi bashkëkryes me dashje tentojnë t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit: Nexhet e Bekim Kastrati dhe me këtë rast vënë në rrezik jetën e personave tjerë, këtu të dëmtuarve: B.R dhe B.L”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë tregohet edhe se si shpërthyen të shtënat.

“I pandehuri Gëzim që ishte aty afër prezent, shkon te vetura e tij e tipit ‘Mercedes A 180’,e cila ishte parkuar përballë kafiterisë, nga ku nxjerrë pushkën automatike AK-47 dhe pasi afrohet në hyrje të terrasës, fillon të shtie në drejtim të të dëmtuarve Nexhet e Bekim duke zbrazur mbi ta shtatëmbëdhjetë plumba”.

Aktakuza përshkruan edhe veprimet e djemve të Gëzim Hoxhës.

“Në të njëjtën kohë i pandehuri Rrezon që ishte ulur afër të dëmtuarve në tavolinën tjetër ngritet dhe nxjerr pistoletën e tipit ‘Ekol Voltrana’ nga brezi dhe shtie në drejtim të të njëjtëve gjithsej shtatë herë, sikurse i pandehuri Rrethim, i cili në ndërkohë kishte dalë nga vetura në fjalë me pistoletën e tipit ‘Zoraki’ M-2906-B duke shtënë në drejtim ku gjendeshin të dëmtuarit dhe atë gjithsej gjashtë herë”, sqarohet në aktakuzë.

Më pas, sipas aktakuzës Gëzim Hoxha me dy djemtë e tij kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

“Pas kësaj të njëjtit hyjnë në veturë dhe ikin nga vendi i ngjarjes, e për pasojë, mbetën të plagosur, përveç të dëmtuarve në fjalë, edhe kalimtarët e rastit, B.R dhe B.L”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi edhe më herët për plagosjet në Pejë.

http://kallxo.com/spitali-e-policia-japin-detaje-per-te-plagosurit-ne-peje

http://kallxo.com/flasin-te-dyshuarit-per-plagosjen-e-katerfishte-ne-peje/