Prokurorja e ‘Pronto-s’: Përgjigjuni qytetarëve për bisedat në telefon
Drita Hajdari, prokurore speciale në rastin e njohur si ‘Pronto’ ka bërë një fjalë hyrëse të elaboruar në seancën e sotme.
Kësaj prokurore iu lejua për herë të parë gjatë këtij gjykimi që ta lexojë aktakuzën me të cilën rëndohen 11 të akuzuar.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Prokurorja ka përmendur faktin se disa prej të akuzuarve në këtë rast po mbrohen në heshtje ndërsa i ka kërkuar që të flasin për përgjimet e telefonatave ku bazohet edhe aktakuza.
“Sa i përket të pandehurve shumica prej tyre janë mbrojtur në heshtje, e drejtë e përcaktuar me ligj, ashtu ka vepruar edhe Adëm Grabovci, i kanë mohuar akuzat….. Por kjo ndodhi gjatë hetimit tani shqyrtimi gjyqësor është mundësi që të pandehurit të japin mundësi të japin shpjegime per ato biseda telefonike që zgjuan shqetësim tek publiku. Une i ftoj të pandehurit të përgjigjen para qytetareve për ato biseda”, tha Hajdari.
Ajo shtoi se Në këtë aktakuzë në mungesë të provave nuk janë përfshirë të gjithë ata që së bashku me këta 11 të pandehur takoheshin dhe “të cilët në biseda nuk i prmendin emrat e tyre por i përmendin si shef i madhi, e lamë takimin me dikënd, fola me atë që ke ndejt ti mbramë etj.”.
Të akuzuarit në këtë rast janë deklaruar të pafajshëm në të gjitha akuzat.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
https://kallxo.com/adem-grabovci-dhe-te-tjeret-serish-deklarohen-te-pafajshem-ne-rastin-pronto/