Gjina Zeqiri | Foto: KALLXO.com

Prokurorja e Avokati në Pole të Kundërta për Akuzat Ndaj Gjinekologes Gjina Zeqiri

Prokurorja dhe avokati kanë qenë në pole të kundërta të vlerësimit në shqyrtimin e sotëm gjyqësor në rastin në të cilin gjinekologia Gjina Zeqiri akuzohet për dy vepra penale.

Duke qenë në arrati, Gjina Zeqiri është duke u gjykuar në mungesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Prokuroria e akuzon Zeqirin për veprat penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe atë të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilfete Baxhaku e Agron Devaja, ndërsa ndaj dy shtetasve turq Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Në fjalën hyrëse prokurorja e shtetit, Ferdane Sylejmani, u shpreh se prokuroria posedon prova të mjaftueshme me të cilat gjatë procesit gjyqësor do të vërtetojë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilën akuzohen.

“Në këtë çështje penale prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë, gjendja e tillë faktike do të vërtetohet nga provat materiale që është propozuar që të administrohen si dhe nga dëshmitë e dëshmitareve të propozuar që të dëgjohen në këtë çështje penale”, tha prokurorja Sylejmani.

Por ndryshe nga prokuroja e rastit u shpreh mbrojtësi i të akuzuarës Ilfete Baxhaku.

Avokati Tahir Rrecaj në fjalën hyrëse tha se prokuroria nuk ka asnjë provë me anë të të cilës mund ta mbështetë aktakuzën në raport me të mbrojturën e tij. Ai tha se në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor pas dëgjimit të dëshmitareve dhe administrimit të provave “do të vërtetohet ky fakt”.

Nga gjykimi i Gjina Zeqirit. Foto: Kallxo.com

“Aktakuza në raport me të mbrojturën time Ilfete Baxhaku nuk është e mbështetur në asnjë provë të besueshme dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor me dëshmitë e dëshmitareve dhe me provat me të cilat mbrojtja i ka dorëzuar edhe më herët do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturës sime sepse e njëjta vetëm i ka përmbushur detyrat e saj të punës dhe urdhrat e drejtoreshës së pandehurës Gjina Zeqiri e cila edhe njëherësh është drejtoreshë e spitalit”, deklaroi avokati Rrecaj, duke shtuar se beson se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor trupi gjykues do të bindet dhe të mbrojturën e tij do ta lirojë nga aktakuza.

Kurse mbrojtësi i Gjina Zeqirit, avokati Valon Hasani deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale pas dëgjimit të dëshmitarëve si dhe provave të propozuara do të vërtetohet se e mbrojtura e tij “nuk ka të bëjë fare me veprat penale për të cilat akuzohet”. Madje, sipas avokatit, nuk ka asnjë bazë ligjore për konfiskim të pasurisë ashtu siç është kërkuar nga prokuroria.

“Sa i përket pikës së parë të dispozitivit që ka të bëjë me veprën penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor nuk ka asnjë pretendim faktik e aq më pak vërtetim nga ana e prokurorisë që kemi të bëjmë me këtë vepër penale e sa i përket dy pikave të tjera të dispozitivit me të cilat e akuzuara ngarkohet me veprat penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se e pandehura ka pasur licencë valide nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka vepruar konform normave ligjore që e rregullon këtë fushë”, tha tutje avokati Hasani.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 18 prill, me ç’rast do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Gjina Zeqiri,  Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë në klinikën private “Global Hospital”, e cila gjendet në Prishtinë në nëntor të vitit 2014, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, pasi që me rastin e trajtimit mjekësor të pacienteve në sektorin e sterilitetit (IVF), haptas nuk kanë përdorur masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe kanë përdorur produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale me pa banderolë dhe me afat skaduar.

Në bazë të aktakuzës në periudhën prej vitit 2012 e deri me datën 14 nëntor 2014 në spitalin privat “Global Hospital”, e akuzuara Gjina Zeqiri-gjinekologe, drejtoreshë në këtë klinikë, paraprakisht pa autorizim dhe në kundërshtim për Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, pa arsye mjekësore nga persona të ndryshëm-donatorë-të dëmtuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit, ka blerë qeliza vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave.

http://kallxo.com/gjina-zeqiri-fton-pacientet-kosovare-ne-bosnje/

Sipas aktakuzës, Zeqiri kishte blerë qeliza vezore nga e dëmtuara S.Sh. gjashtë herë  duke ia paguar në para të gatshme shumën prej 800 euro; të dëmtuarës tjetër S. B., si donatore, pesë herë fillimisht në çmim prej 800 euro, e pastaj në çmim prej 500 euro; si dhe në raste tjera të dëmtuarave F.M. dhe H.S. Me këto veprime, prokuroria pretendon se e akuzuara Gjina Zeqiri ka kryer veprat penale të transplantim të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Gjina Zeqiri akuzohet edhe se në bashkëkryerje me shtetasit turq Ersan Donmez dhe Handan Nadlë për të cilët është veçuar procedura, i kanë transplantuar qelizat në të dëmtuarit që ishin pacientë të kësaj klinike duke vepruar kështu në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Riprodhues, duke bërë përcaktimin e gjinisë të dëmtuarve-pacienteve të cilët kanë qenë të interesuar për pranimin e këtyre qelizave.

Prokuroria e akuzon edhe Ilfete Baxhakun se ka kryer veprën penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore. Në aktakuzë thuhet se Baxhaku, me dashje e ka ndihmuar Gjina Zeqirin për kryerjen e veprës penale ngase ka bërë ndërmjetësimin duke kontaktuar me donatorët e vezorëve dhe duke i udhëzuar dhuruesit dhe pranuesit për tretmanin mjekësor.

I akuzuari tjetër Agron Devaja akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’ pasi që, sipas prokurorisë, në cilësinë e personit zyrtar pa autorizim i ka kumtuar personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare duke njoftuar Gjina Zeqirin se kur do të ketë kontroll në klinikën “Global Hospital”.

KALLXO.com e ka përcjellë vazhdimisht rastin ku Gjina Zeqiri është e akuzuara kryesore. Raportimet nga ky rast mund t’i lexoni në këtë link.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ e kishte intervistuar Gjina Zeqirin në shkurt të vitit të kaluar.

Rrëfimi i Gjina Zeqirit nga Arratia