Prezantimi i raportit nga Lëvizja Fol rreth performancës së organeve të drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Prokuroritë e gjykatat, shumë lëndë të korrupsionit dhe trend pozitiv të zgjidhjes

Raporti i organizatës joqeveritare FOL rreth performancës së prokurorive dhe gjykatave në rastet e korrupsionit gjatë vitit 2017 ka arritur në përfundim se ka numër të madh të lëndëve të trashëguara nga vitet e kaluara.

Megjithatë, raporti i prezantuar sot ka vlerësuar se “sikurse në vitin 2016, performanca e gjykatave dhe prokurorive mbetet e lartë dhe pozitive në nivel qendror, kurse në nivel lokal disa gjykata dhe prokurori kanë performancë më të mirë e disa më të dobët”.

Po ashtu raporti tregon se shumica e rasteve të korrupsionit kanë qenë të lidhura me administratën publike.

“Mbi 90% të personave të akuzuar për korrupsion janë zyrtarë publikë, shifër kjo që flet për faktin se sa e korruptuar është e gjithë administrate shtetërore”, thekson raporti.

Jeton Zulfaj, autor i raportit, tha se në vitin e kaluar prokuroritë kanë bërë kallëzime penale për 622 persona për korrupsion.

Ndonëse, sipas Zulfajt numrat janë pozitivë në krahasim me vitin e kaluar, ai tha se shihet që ka nevojë për normë edhe më të madhe për ta ulur numrin e lëndëve të bartura.

Ndërkaq, duke folur rreth kohëzgjatjes së lëndëve në prokurori ai tha se mesatarisht prokuroria e trajton një lëndë për 414 ditë.

Zulfaj e tregoi edhe kohën e mundshme të zgjidhjes së tyre.

“Nëse prokuroria punon me të njëjtën normë pritet që brenda 5 viteve të nivelizohen… t’i përfundojë aq lëndë sa i pranon”, tha ai.

Ndërsa duke folur për gjykatat ai tregoi se numri vazhdon të jetë pozitiv por ka gjykata ku ka numër më të madh të lëndëve që nuk janë kryer nga vitet e kaluara.

“Gjilani dhe Prishtina kanë numrin më të madh lëndëve të bartura”, u shpreh ai.

Po ashtu, ai tha se Gjykata Themelore e Prishtinës është më problematikja për numrin e madh të lëndëve.

Koha e zgjidhjes së lëndëve, sipas tij, ka ndryshuar duke rënë për pak ditë, duke arritur në 528 ditë për zgjidhje të lëndës.

Rreth raportit komentoi edhe kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i cili tha se ka përmirësim të përgjithshëm në gjykata në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

“Në përgjithësi gjykatat trajtojnë lëndë më shumë sesa që kanë pranuar. Për vitin 2017 gjykatat më problematike është ajo në Prishtinë”, u shpreh Idrizi.

Po ashtu foli edhe Blerim Isufaj, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai theksoi se numri i prokurorëve është rritur por e përmendi edhe rritjen e llogaridhënies dhe integritetit të prokurorisë.

“Aktualisht po punohet në një sistemin elektronik. Ky sistem do ta rrisë efikasitetin dhe llogaridhënien. Me qëllim të mbrojtjes së integritetit jemi në proces të plotësim-ndryshimit të Kodit të etikës dhe të gjeturat e këtij raporti se prokurorët janë të ndikuar nga jashtë do të trajtohen”, u shpreh kreu i KPK.