Dosja e Prokurorisë për grupin e "Currit", kamata e fajdeve 7%në muaj


Ismet Osmani (Curri), Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Rrahim Hashimi janë pesë të arrestuarit e operacionit “Dallga”, i cili u realizua në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës dje gjatë ditës.

Ata po dyshohet se kanë përfituar miliona përmes fajdesë, detyrimit dhe mashtrimit.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se gjithçka kishte filluar në qershor të vitit 2012.

Sipas Prokurorisë, në atë kohë të dyshuarit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut, fajde në vlerë prej 350 mijë euro.

Për sigurimin e kthimit të borxhit ata kishin lidhur kontratë mbi shitblerjen e shtëpisë në lagjen Pejton, ku i dyshuari Sami Nika ishte evidentuar si pronar i saj.

Faton Dalladaku për 350 mijë eurot e marra ishte ngarkuar me kamatë mujore 7%,  apo 25 mijë euro në muaj, dhe gjatë dy muajve ai kishte paguar kamatën 50 mijë euro, te Sami Nika, e i cili më pas i kishte dhënë Rrahim Hashimit e Ekrem Likës nga 10 mijë euro.

Në ketë dosje përshkruhet përfshirja e Ismet Osmanit në këtë rast.

Prokuroria pretendon se në fund të vitit 2013, Ismet Osmani, Sami Nika, dhe Ilir Bojku, kishin blerë një tokë 3 hektarëshe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në vlerë 600 mijë euro.

Për ketë tokë ata ia kishin paguar 250 mijë euro pronarit S.P., ndërsa pjesën tjetër të mbetur prej 350 mijë eurove e kishin ngarkuar të dëmtuarin Faton Dalladaku, të paguante në emër të fajdesë duke vazhduar t’ia mbanin shtëpinë në posedim sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, e kishin kërcënuar Faton Dalladakun dhe i kishin shkuar në shtëpi dhe ia kishin marrë çelësin e shtëpisë në momentin kur ky i fundit kishte dështuar t’ua kthente 350 mijë eurot e marra në fillim.

Në dosje të prokurorisë thuhet se disa muaj më vonë ata e kishin detyruar Faton Dalladaku që t’ua japë një pronë 3 hektarëshe e cila kishte vlerë rreth 900 mijë euro në këmbim të borxhit i cili deri atëherë kishte arritur në 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, edhe pse ia kishin marrë pronën me vlerë 900 mijë euro për 700 mijë euro borxh, ata nuk ia kishin kthyer shtëpinë në Pejton të cilën në vitin 2017, Sami Nika ia kishte shitur Adil Thaqit.

Lidhur me ketë rast po dyshohet të ketë rol edhe i dyshuari tjetër Mentor Maqani.

Maqani dyshohet se gjatë vitit 2015 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë të Faton Dalladakut kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër QMI-së (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.

Maqani ishte pajtuar që ta blinte atë pronë për 700 mijë euro. Sipas marrëveshjes, Maqani do ta blinte  borxhin prej 450 mijë euro, me të cilin Dalladaku i detyrohej Sami Nikës, Ismet Osmanit dhe Ilir Bojkut, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante.

Lidhur me ketë marrëveshje, sipas prokurorisë, Mentor Maqani, kishte transferuar 100 mijë euro te Faton Dalladaku dhe për shumën e mbetur prej 150 mijë eurove i kishte dhënë dy vetura.

Në ketë dosje thuhet se Maqani i kishte rënë pishman për marrëveshjen dhe e kishte ndërprerë me ç’rast dy veturat të cilat ia kishte dhuruar për 150 mijë euro, ia kishte marrë prapa për 80 mijë euro dhe me anë të kërcënimit e kishte kërkuar kthimin e borxhit në shumë prej 582 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Dalladaku për shtyrjen e pagesës së këtij borxhi kishte kërkuar ndihmën e Adil Thaqit i cili ia kishte paguar Sami Nikës 260 mijë euro për blerjen e shtëpisë në Pejton.

Prokuroria Pretendon se Adil Thaqi i cili ishte paraqitur si ndërmjetësues, me anë të fakteve të rreme e kishte mashtruar Faton Dalladakun se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse në transaksionet financiare shihet se ai nuk i ka pasur 260 mijë euro për t’i paguar.

Pesë të dyshuarit për fajde, detyrim dhe mashtrim, kanë dalë sot para gjykatës në Prishtinë dhe po përballen me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Lidhur me këtë rast janë të dyshuar edhe dy persona E. L, dhe Z. J, mirëpo po vazhdojnë të jenë në kërkim nga policia.