Prokuroria tregon si u kapën 40 mijë euro të falsifikuara në Pejë

Dy persona po akuzohen për falsifikim të 40 mijë eurove në Pejë.

Prokuroria në Pejë pretendon se  I.S dhe F.B kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara.

E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë kishte filluar mes datave 8-12 shkurt të këtij viti, ku të pandehurit janë marrë vesh për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, duke qenë në dijeni për cilësinë e tyre.

Me këtë rast, zyrtarët policorë kanë zbatuar një urdhër për blerje të similuar të parave të falsifikuara.

Prokuroria ka sqaruar se pas vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, i dyshuari F.B, gjatë asaj periudhe ka kontaktuar përmes telefonit dhe është takuar me zyrtarët policor, ku janë marrë vesh për blerjen e 40 mijë eurove, në kundërvlerë të parave origjinale prej 25 për qind.

Takimi mes zyrtarit policor i cili ishte në rolin e stimuluesit ishte vendosur të zhvillohej në një lokal në komunën e Klinës.

Prokuroria tutje ka bërë të ditur se i dyshuari  I.S,  me datë 14 shkurt 2019, rreth orës 18:00, rreth 300 metra para se të arrinte në vendin e takimit i hedh nga vetura paratë e falsifikuara në vlerë prej 39 mijë e 300 euro.

Pas arritjes së tij tek  zyrtarët policor- stimuluesit, i dyshuari është arrestuar menjëherë dhe nga i njëjti janë konfiskuar paratë e falsifikuara.

Prokuroria ka njoftuar se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i  pandehurin të shpallet fajtor dhe të dënohet  sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.​