Prokuroria tregon hetimet për ish-drejtorin e kompanisë së pastrimit në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar masën e paraburgimit për ish- Drejtorin e Ndërmarrjes “Uniteti” në Komunën e Mitrovicës, Skender Tahirin.

Prokuroria ka sqaruar se pas një hetimi dhe bashkëpunimi në mes të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës, ditën e djeshme ka ndaluar Skender Tahirin.

“Sot, me datë 14 shkurt 2019, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të ndaluarin S.T, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar që në periudhën kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike  “Uniteti” Mitrovicë, i dyshuari Skender Tahiri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të paradhënieve, për vete shumën prej 35, mijë e 337 eurove, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82, mijë e 663 eurove.

Me këto veprime Skender Tahiri, dyshohet që i ka shkaktuar dëm kompanisë rajonale komunale një dëm në vlerë të tërësishme prej 118 mijë e 913.18 eurove.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmjen e kaluar në lidhje me këtë rast.

Gjithashtu Skender Tahiri, është njëri nga të akuzuarit për rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK.

https://kallxo.com/sami-lushtaku-para-gjyqit-per-arratisjen-nga-qkuk-ja/?fbclid=IwAR1EshRa7RDpiWfn7H__mTJ5CGGT8O_Gu_K9X61R4I-WhFXiePPODgLDlZI

https://kallxo.com/mitrovice-arrestohet-ish-drejtori-i-ndermarrjes-uniteti-per-keperdorim-te-detyres/?fbclid=IwAR2-B36rId-ZCpQJag7Yefk_fYwHhUTGZT4ky5l7iz_eBz2T7SvXDckxkzg