Prokuroria Speciale po heton rastin e Masakrës së Reçakut

Dy ditë më parë u shënua përvjetori i masakrës së Reçakut, e Prokuroria Speciale e Kosovës, ka filluar hetimet për të njëjtën masakër.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni tregoi për emisionin “Jeta në Kosovë” se është duke  punuar në lidhje me strategjinë e krimeve të luftës.

“Ne jemi duke punuar në një grup punues, i formuar nga KPK, zyra e kryeprokurorit të shtetit Policia e Kosovës, e kemi hartuar draftin për strategjinë e luftës. Drafti është përgatitur, kemi pasur nderin që në këtë draft të punoj edhe një prokurore zonja Drita”, tha Hyseni.

Ai shtoi se  ndryshimet ligjore do t’i ofrojnë mbështetje prokurorëve për tu marrë me rastet e krimeve të luftës.

“Ajo çka është me rëndësi për opinion, ndryshimet e reja ligjore dhe një institut i ri i cili do të futet nëse aprovohet nga Kuvendi i Kosovës, ku lejon që në mungesë të ndodh gjykimi atëherë çelët një derë e madhe për ne që këto raste të trashëguara t’i punojmë dhe të dalim me rezultate konkrete. Ajo që do të varet nga ne do të bëjmë gjithçka që i duhet prokurorëve, do krijojmë kushte, akti ligjor po krijohet, ju e dini s’kemi mujt me ftu askënd”, tha kryesuesi i KPK-së.

Hyseni tha se gjithsecili që është involvuar në krimet e luftës do të dalë përpara drejtësisë.

“Shpresat janë se secili që i ka përly duart në gjak herët apo vonë do të dalë para organeve të drejtësisë. Është pyetje për prokurorë të prokurorisë speciale. Ajo çka ju garantoj unë qytetarëve është që do të hartojmë dokumente bazike për me ja bo punën ma të lehtë prokurorëve që kanë me punu për të gjitha krimet në Kosovë. Do të ju krijojmë kushte, siguri, do t’i përkrahim me bashkëpunëtor.”, tha ai.

KALLXO.com ditë më parë mori një përgjigje nga ana e Prokurores Speciale, Drita Hajdari në lidhje me masakrën e Reçakut.

“Rasti i masakrës së Raçakut ishte nji nga pikat e akuzës kundër  Vlastimir Gjorgjeviq, kolonel i përgjithshëm i pensionuar serb, ndihmës ministër i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe kreu i Departamentit të Sigurisë Publike. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) e ka dënuar atë në vitin 2011 për krime të luftës të kryera gjatë luftës së Kosovës për 27 vjet burgim.  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke hetuar edhe për rolin e personave të tjerë në këtë masakër”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia