Prokuroria Speciale mbledh dëshmi për këshilltarin e shkarkuar të Thaçit

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se presidenti Hashim Thaçi e ka liruar nga detyra këshilltarin politik, Branislav Nikoliq.

Por Zyra e Presidentit ka thënë se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të Branislav Nikoliqit në aktivitete të dyshimta, për të cilat ka raportuar Televizioni T7.

Në njoftim thuhet se për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Thaçi e ka liruar dje nga detyra e Këshilltarit Politik, Branislav Nikoliqin​.

Në anën tjetër veprimet e Prokurorisë Speciale në lidhje me këtë rast kanë qenë të shpejta.

Në një përgjigje drejtuar KALLXO.com, Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, tha se nuk ka pasur rast të hapur, por do të fillojnë të mbledhin fakte për rastin.

“Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk ka rast të hapur lidhur me personin në fjalë. Prokuroria Speciale do të filloj mbledhjen e fakteve dhe provave, për analizimin e tyre se a ka bazë për fillimin e hetimeve apo jo, si dhe më pas do të njoftohet opinion lidhur me veprimet e ndërmarra”, tha për KALLXO.com, Lutfiu.

Gjatë ditës së djeshme Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se janë krijuar kushtet që të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

“Janë krijuar kushtet që të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sepse në zyrën e Presidentit të shtetit është punësuar Branisllav Nikolićç. Sipas mediave, ky njeri është pjesëtar i shërbimit shtetëror informativ serb”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.

“Kjo përbën pa dyshim rrezikim serioz të sigurisë kombëtare. Sipas kushtetutës sonë (neni 94, pika 5, lidhur me nenin 127, pika 2) Këshillin e Sigurisë e kryeson kryeministri i vendit. Çka ka kryeministri që nuk e thërret mbledhjen? Mos ndoshta frikësohet nga presidenti që ia përmend bodrumin e Radojčić-it ku u themelua qeveria e tanishme? Çfarë çifti i tmerrshëm Thaçi-Haradinaj: reciprokisht të shantazhueshëm përmes veglave të Vučić-it”, ka shkruar tutje Konjufca.

https://kallxo.com/presidenti-e-shkarkon-keshilltarin-politik-branislav-nikoliq/

https://kallxo.com/konjufca-kerkon-nga-haradinaj-me-urgjence-te-mbledhe-keshillin-e-sigurise/