Pamje nga mbledhja e Këshillit Prokurorial - Foto: KPK

Prokuroria Speciale Kërkon edhe 5 Prokurorë

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim për të shpallur konkursin për avancimin e pesë prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë këtij takimi ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për avancim për 5 pozita në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Gjatë kësaj mbledhjeje, prokurorja e Prokurorisë së Apelit, Bedrije Alshiqi ka dhënë betimin si anëtarja më e re e Këshillit. Prokurorja Alshiqi zë vendin e kolegut të saj nga Prokuroria e Apelit, Idain Smajli.

Në këtë mbledhje Këshilli ka ndërruar dy anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve. Në këtë Komision u emëruan prokurorja Ikramije Bojaxhiu dhe anëtarja më e re e Këshillit, Bedrije Alshiqi.

“Anëtarja e KPK-së, prokurorja Ikramije Bojaxhiu është zgjedhur kryesuese e këtij komisioni, ndërsa anëtarja e re e KPK-së, prokurorja e Prokurorisë së Apelit, Bedrije Alshiqi është zgjedhur anëtare. Anëtar tjetër i Komisionit vazhdon të jetë prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit, Lulzim Sylejmani”, thuhet më tej në komunikatën e KPK-së.

Këshilli ka miratuar edhe një udhëzim administrativ për caktimin e normës orientuese për prokurorët e shtetit.