Hysri Peqani - 'Burdushi'

Prokuroria: Si arriti Burdushi të bëhet milioner me mashtrim

Mjeku popullor Hysri Peqani, i njohur për publikun si “Burdushi”, ndaj të cilit Gjykata e Prizrenit ka caktuar edhe 30 ditë paraburgim, po dyshohet për kryerjen e 4 veprave penale: Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim,  dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

 

https://kallxo.com/bardushi-mbetet-edhe-30-dite-ne-paraburgim/

Burdushi që nga nëntori i vitit 2018 gjendet nën masën e paraburgimit.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për vazhdim të paraburgimit në të cilën Prokuroria ka sqaruar veprimet që i ka ndërmarrë gjatë fazës së hetimit.

Deri më tash sipas prokurorit Fatos Ajvazi, janë dëgjuar gjashtë persona në cilësi të të dëmtuarve, dhe dy dëshmitarë tjerë lidhur me veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria ka sqaruar se në ndërkohë është lajmëruar edhe një dëshmitare tjetër. Prokuroria ka theksuar se ky numër i dëshmitarëve pritet të jetë shumë më i madh.

Nga të gjeturat e Prokurorisë dhe nga analiza që i është bërë provave që janë sekuestruar tek i pandehuri, rezulton se që të gjithë të cekurit nëpër libra e protokolle të mbajtura nga veti  Burdushi, janë të dëmtuar në këtë rast.

Sipas një përllogaritje nga ana e prokurorisë që i është bërë dëmi i shkaktuar dhe përfitimi që ka realizuar i pandehuri Burdushi me kryerjen e veprave penale që po dyshohet, arrin mbi 6 milionë Euro, raporton KALLXO.com.

Tutje prokurori i shtetit ka sqaruar se është ndërmarrë edhe një numër i madh veprimesh hetimore e që kanë të bëjnë me zbulimin e të dhënave financiare për të pandehurin nëpër bankat e Kosovës. Po ashtu edhe zbulimi i veprimeve juridike nëpër zyret e Noterëve në Republikën e Kosovës.

Nga të gjitha hetimet e deritanishme të Prokurorisë dyshohet se i pandehuri Burdushi ka ndërmarrë një numër të madh veprimesh juridike, sidomos në shitblerjen e veturave, e po ashtu ka një numër të madh të transaksioneve bankare në vlera që kalojnë 100 mijë Euro.

Prokurori Fatos Ajvazi, tutje sqaron se nga hetimet e zhvilluara janë zbuluar edhe dy patundshmëri të cilat janë blerë nga i pandehuri Burdushi, por që nuk janë të evidentuara në kadastër në emër të tij, dhe kjo dyshohet të jetë bërë me qëllim që i njëjti të fshehë prona.

Kallxo.com ka raportuar ekskluzivisht që nga tetori i vitit 2018 për zhvillimet në rastin ‘Burdushi’.

Gjithçka kishte filluar nën 16 nëntor  të vitit 2018, kur Burdushit i është bastisur shtëpia, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të lartcekura.

 

https://kallxo.com/bastiset-shtepia-e-hysri-pecanit-burdushit-foto/

 

Burdushit më parë i është sekuestruar edhe pasuria në vlerë në vlerë 2 milion e 600 mijë Euro, deri në përfundim të gjykimit.

KALLXO.com kishte raportuar në tetor të vitit 2018 se Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë në vitin 2015 ndaj Burdushit, për mashtrimin e një qytetari.

 

https://kallxo.com/burdushi-akuzohet-per-mashtrimin-e-nje-pacienti/

 

I njëjti pak ditë pasi që është bastisur nga Policia e Kosovës, është dënuar për veprën penale të mashtrimit nga aktakuza e vitit 2015, pasi që gjykata e gjeti fajtor për veprat penale të mashtrimit dhe e dënoi me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

 

https://kallxo.com/burdushi-denohet-me-burg/

 

Të njëjtit si dënim plotësues Gjykata ia kishte ndaluar edhe ushtrimin e profesionit dhe veprimtarisë në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

 

https://kallxo.com/gjykata-ia-ndalon-profesionin-burdushit/

.