Foto: Arkiv

Prokuroria nuk Po e Ndjek Gjuriqin për Kalim Ilegal

Marko Gjuriq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, edhe pse hyri pa lejen e institucioneve kosovare në veri të vendit nuk ka nxitur ende reagimin e Prokurorisë në Mitrovicë.

Kjo prokurori ende nuk ka pranuar kallëzim penal për kalim ilegal të kufirit nga Gjuriqi, prandaj kjo është arsye që sipas kryeprokurorit Shyqyri Syla nuk është lëshuar urdhër-arrestim për zyrtarin serb.

“Meqë nuk kemi kallëzim penal akoma nuk është lëshuar urdhër-arresti. Për momentin deri tash në këtë kohë nuk ka kallëzim penal. Po nëse vie, atëherë ne normalisht që do ta lëshojmë edhe urdhër-arrestin sepse është procedurë”, tha kryeprokurori Syla për KALLXO.com.

Shefi  i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq gjatë ditës së enjte qëndroi në Mitrovicën e Veriut, edhe pse i ishte ndaluar hyrja nga autoritetet kosovare.

Për shkak të mosrespektimit të urdhrit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e Gjuriqit, janë suspenduar dy zyrtarë policorë.

Po ashtu gjatë ditës, Kryeministri Isa Mustafa shkarkoi ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq i cili të enjten shoqëroi Gjuriqin në vizitën e tij ilegale në Mitrovicë.

Zyra e Kryeministrit në njoftimin e saj duke mos i bërë të ditura arsyet e shkarkimit të Mariqit, tregoi se ky veprim është ndërmarrë në konsultim dhe me propozim të Listës Serbe.