Prokuroria Nisi Menjëherë Hetimet në Rastin e Naser Makollit

Porsa është njoftuar dje nga Policia se nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan në QKMF në Lipjan është sjellë pa shenja jete personi N.M., prokurori kujdestar ka dalë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me urdhër të tij rasti është hapur si “Vdekje e dyshimtë”, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Siç njofton Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, sot prokurori kujdestar së bashku me një prokuror tjetër nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë marrë pjesë në kryerjen e autopsisë së Naser Makollit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku të ndjerit i janë marrë të gjitha mostrat, si të gjakut, urinës, mostrat për analiza toksikologjike, të cilat me urgjencë janë dërguar për ekzaminim në laborator.

Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit – lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të të gjeturave tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marrë në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së Naser Makollit, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, i paraburgosuri Naser Makolli ka vdekur dje pasi ishte dërguar në Urgjencën e QKMF-së në Lipjan nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan.

http://kallxo.com/vdes-nje-paraburgosur/

Vdekja e Makollit rindezi debatin rreth vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, pasi që Naser Makolli ishte njeriu i parë që e gjeti aktivistin e Vetëvendosjes pa shenja jete në qelinë e tij.

http://kallxo.com/vdekja-e-te-paraburgosurit-rindez-debatin-per-vdekjen-e-astrit-deharit/