Prokuroria Ngre Aktakuzë për Personin që Kërkoi Sulm Vetëvrasës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet R. A dhe K. P.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aktakuza është ngritur për shkak se personi me inicialet R. A. ka kryer veprën penale shtytje në terrorizëm që sanksionohet me Ligjin e Ndalimit të Bashkimit në Konflikte të Armatosura, ndërsa personi tjetër D. P. nuk ka lajmëruar veprën penale apo kryerësit e veprës penale.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i pandehuri me inicialet R.A. në vazhdimësi në mënyra të ndryshme ka postuar mesazhe për publikun, me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist, në atë mënyrë që në rrjetin social ‘Facebook’ në profilin e tij, ka postuar video-incizime, fotografi dhe komente duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste Shteti Islamik “ISIS”.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se përmes këtyre publikimeve ka shprehur urrejtje ndaj pjesëtarëve të tjerë të komunitetit dhe ka propaganduar islamizmin, ashtu që në fotografitë e publikuara ka paraqitur xhihadistë dhe sulmues vetëvrasës.

“R.A. me këto veprime ka kryer veprën penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 141 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale nga neni 3 paragrafi 4 i Ligjit mbi Ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Paragrafi 4 i nenit 3 të këtij ligji lidhet me nxitjen në mënyrë publike, me anë të shkrimeve, xhirimeve audio-vizuele, rrjeteve sociale, apo formave tjera të komunikimit për t’u bashkuar me formacionet ushtarake jashtë territorit të Kosovës.

Sipas njoftimit, i pandehuri me inicialet K. P. në periudhën e papërcaktuar kohore në vitin 2017, nuk e ka lajmëruar veprën penale dhe kryerësin e saj, në mënyrë që pasi i njëjti ka pasur kontakte me persona që kanë marrë pjesë në Siri dhe të cilët janë marrë me aktivitete terroriste.

Sipas aktakuzës i pandehuri R. A ka kërkuar nga i pandehuri K. P. të kryejë një sulm vetëvrasës në territorin e Kosovës , duke i thënë  “se i duheshin të holla për financim dhe disa vëllezër myslimanë për të organizuar një sulm istishadije (vetëvrasës) kundër shtetit, kundër qeverisë”.

I pandehuri me inicialet K. P. edhe pas kësaj nuk ka lajmëruar rastin në polici.

Me këto veprime K. P. ka kryer moslajmërimin e veprave penale apo kryerësin e tyre.