Jetish Maloku, Kryeprokuror i Gjilanit. Foto: Kallxo.com

Prokuroria në Gjilan e Mbyll Vitin 2017 me Mbi 3 Mijë Lëndë

3 mijë e 100 lëndë janë pranuar gjatë vitit 2017 në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Nga këto lëndë të pranuar, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka arritur që t’i trajtojë 3 mijë e 49 prej tyre.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku së bashku me tri departamentet e saj ka trajtuar lëndë të natyrave të ndryshme penale.

“Gjatë vitit 2017 Prokuroria Themelore në Gjilan me gjithsej 16 prokuror dhe me kryeprokurorin e saj si dhe me ndihmën e stafit administrativ ka arritur që gjatë vitit të kaluar kjo prokurori me tri departamentet e saja, atë për krime të rënda, atë për të mitur dhe atë të përgjithshëm të pranoj 3100 lëndë të të gjitha natyrave te veprave penale”, tha Maloku për KALLXO.com.

Sipas Malokut, rreth 4 mijë persona janë trajtuar dhe nga gjithsej 3100 lëndë vetëm 51 prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për këtë vit.

“Kjo prokurori prioritet absolut u ka dhënë, edhe këtë vit, lëndëve nga krimi ekonomik dhe korrupsion, prej te cilave, nga 47 kallëzime penale kundër 79 zyrtarëve të të gjitha profileve, ka vendosur për 39 kallëzime penale me 66 zyrtar te profesioneve te ndryshëm, si zyrtar doganor, tatimor, gjyqtar, prokuror, zyrtar policor, zyrtar nga arsimi e shëndetësia, drejtor të shërbimeve publike e private, kryetar komune e  zyrtar tjerë te veshur me pushtet, duke vendosur para drejtësisë dhe në pritje të vendimeve meritore nga gjykatat kompetente”, tha ai.

Sipas tij, Prokuroria Themelore gjatë vitit 2017 ka trajtuar edhe grabitjet, vjedhjet, trafikimin me qenie njerëzore, trafikimin me narkotik, trafikimin me armë, kontrabandimin me migrant, me mallra e të tjera.

“E vetmja Prokurori në nivel vendi gjatë vitit 2017, ka kryer rreth 836 marrëveshje për pranim fajësie dhe procedura tjera alternative, që përfshin afër 30 % te lendeve te kryera përmes këtij instituti, duke kursyer kohe dhe mund, e para se gjithash, duke i ndihmuar gjykatës themelore kompetente, zvogëlimin e numrit te lendeve te pazgjidhura deri me tani”, tha Maloku.