Prokuroria në Gjilan demanton arrestimin e pesë serbëve

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku ka demantuar arrestimin e pesë serbëve në Gjilan.

I kontaktuar nga KALLX.com kryrpokrurori Maloku, tha se pesë serbët janë shoqëruar në polici, janë intervistuar dhe janë liruar.

“Nuk janë arrestuar pesë serbët. Nuk e di kush e ka përhap këtë. Me kërkesë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Prishtinë, është bërë kërkesa edhe nga ana e Prokurorisë  në Gjilan, në Gjykatën për Krime të Rënda, për bastisje apo kontroll të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të pesë të dyshuarve për sulm kundër rendit dhe kanosje”, tha Maloku për KALLXO.com.

Ai shtoi se në bazë të afateve ligjore është bërë bastisja e lokacioneve dhe objekteve për të cilat është bërë kërkesa.

“Është bërë bastisja brenda afatit ligjo dhe njëkohësisht ata në mëngjes janë intervistuar si të dyshuar dhe të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt. Po ua theksoj prapë nuk janë arrestuar janë shoqëruar. Kërkesa është bërë për bastisjen e shtëpive të pesë serbëve. Në lokacionet që janë bastisur janë konfiskuar disa mjete. Ata janë të lirë ne jemi në hetim e sipër. Jemi duke analizuar të gjitha provat dhe sendet që janë konfiskuar”, tha Maloku.

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka dërguar në njoftim, ku thuhej se janë arrestuar pesë të dyshuar të komunitetit serb në Komunën e Gjilanit për veprimtari kundër sigurisë shtetërore.

Pas lajmit për arrestimin, e pesë të dyshuarve ka reaguar edhe Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai ka thënë se, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.

“Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave europiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, ka shkruar Veseli.

https://kallxo.com/pese-te-arrestuar-per-veprimtari-kunder-sigurise-shteterore/

https://kallxo.com/reagon-veseli-per-arrestimin-e-serbeve-ne-gjilan/