Monedha Euro - Foto: Facebook

Prokuroria krenohet me aktakuzën për 55 euro të falsifikuara

Prokuroria e  Mitrovicës ka ngritur aktakuzë, ndaj L.H. për falsifikim të parave.

Sipas njoftimit të kësaj prokurorie i pandehuri L.H., më 20 mars 2019, në Mitrovicë ka vënë në qarkullim monedha metalike, të cilat edhe pse e ka ditur që janë të falsifikuara, i ka përdorur në një kioskë dhe në një market për të blerë cigare. KALLXO.com merr vesh se shuma e gjetur ishte 55 euro.

Të pandehurit pas ndalimit nga policia, i janë konfiskuar po ashtu disa monedha metalike, të cilat pas ekzaminimit kanë rezultuar të falsifikuara.

Ndërsa prokurori i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.