Naim Tërnava

Prokuroria konfirmon pranimin e kallëzimit penal ndaj kreut të BIK-ut Naim Tërnava

KALLXO.com merr vesh se me 11 prill të këtij viti është ushtruar një kallëzim penal ndaj myftiut të Kosovës, Naim Tërnava.

Sipas informacioneve që i posedon KALLXO.com, kallëzimi penal ndaj Naim Tërnavës është ushtruar nga teologu Emin Behrami lidhur me dyshimin për kryerjen e veprave penale të vjedhjes së rëndë dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me rastin në fjalë ju informojmë se, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11.04.2019, ka pranuar një kallëzim penal, të ushtruar nga Emin Behrami, kundër Naim Tërnava, në drejtim të veprave penale: “Vjedhje e rëndë” nga neni 327 të KPRK-së dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Prokuroria e Prishtinës.

Në kallëzimin penal të cilin e posedon KALLXO.com, Emin Behrami e pretendon se myftiu Naim Tërnava ka vjedhur 300.000 (treqind mijë) marka gjermane.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me përfaqësues të BIK-ut për të marrë një prononcim lidhur me këtë kallëzim penal, si përmes telefonit ashtu edhe përmes emal-adresës, por deri në këto momente ata kanë qenë të pa qasshëm.