Prokuroria Konfirmon Arrestimin për Mito pas Denoncimit në KALLXO.com

Në komunikatën e lëshuar sonte, Prokuroria thotë se gjatë të enjtes “ka kuptuar për informacione të publikuara në platformën KALLXO.com për dyshime për ryshfet se familjarë të përgjegjëses së gjykatës në Deçan janë përfshirë në një kërkesë për ryshfet me qëllim të përshpejtimit të një lënde në gjykatë, një rast ky që tashmë ka qenë nën hetime nga ana e prokurorisë”.

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve dhe kontakteve të marra me dëshmitarët e mundshëm të këtij rasti, është bërë e mundur që gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës të arrestohet shtetasi F.T”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në fakt, prokuroria dhe policia kanë ndërmarrë një aksion arresti e kontrolli në shtëpinë e gjykatëses në fshatin Prileptë Deçanit pa kaluar 16 orë nga publikimi i paralajmërimit të hulumtimit ekskluziv disamujor i cili do të transmetohet sonte në RTK në orën 22:20.

Prokuroria Intervenon në Deçan, Arrestohet Djali i Gjykatëses

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore të prokurorisë dhe policisë, e me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fillimisht është shoqëruar e më pas edhe është ndaluar edhe gjyqtarja mbikqyrëse e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, S. T. dhe prokuroria në pajtim me dispozitat ligjore të KPP-së do të kërkojë nga gjykata kompetente zbatimin e masave adekuate ndaj të dyve për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurë penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

“Prokuroria e Shtetit inkurajon qytetarët që në vazhdimësi të denoncojnë raste të korrupsionit e poashtu shpreh gatishmërinë dhe vullnetin, që ashtu sikurse ka ndodhur disa herë deri më tani, që të bashkëpunojë me media dhe organizata të cilat kanë informacione për aktivitete kriminale në shoqërinë tonë duke siguruar zbatimin e barabartë të ligjit penal për të gjithë”, thuhet në komunikatë.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-filmon-skandal-korrupsioni-ne-gjykate/