Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarin e Gjykatës të dyshuar për 20 euro ryshfet

Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës i cili po dyshohet për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Zyrtari në fjalë dyshohet se i kishte kërkuar një qytetari 20 euro për t’i ndihmuar në një rast që viktima e kishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me një lëndë.

Gjatë ditës së djeshme i dyshuari është arrestuar nga policia dhe është dërguar në mbajtje pas që i njëjti ishte zënë në flagrancë.

Lidhur me këtë rast nesër pritet që të mbahet seanca dëgjimore me ç ‘rast do të vendoset lidhur me masën e sigurisë.

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë e Policisë dje ka pranuar një informatë lidhur me një zyrtar të Gjykatës Themelore, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit si dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas pranimit të Informatës në fjalë dhe verifikimeve profesionale, Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke përfshirë edhe aplikimin e metodave të sofistikuara teknike të hetimit, dhe kanë arritur që të dyshuarin (zyrtar i Gjykatës) ta arrestojnë në flagrancë.

https://kallxo.com/policia-arreston-ne-flagrance-zyrtarin-e-gjykates-se-prishtines/