Prokurori Petrit Kryeziu në seancën paraprake për " Burdushin"

Prokuroria kërkon paraburgim për “Burdushin”

Prokuroria e Prizrenit ka paraqitur sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për Hysri Peqanin, i njohur si “Burdushi”.

Mjeku popullor  dyshohet për ushtrim të  kundërligjshëm i veprimtarise mjekësore dhe vepren penale të shantazhit.

Në seancën ku gjyqtar është Luan Berisha, prokurori Petrit Kryeziu kërkoj paraburgimin prej një muaji, duke thënë se ekziston dyshimi i bazuar se në biznesin e tij “Burdushi Shpirtëror” ka kryer aktivitete të kundërligjshme mjekësore, duke ofruar shërbime mjekësore si mjek popullor.

Prokurori Kryeziu në kërkesën e tij shpjegon se i dyshuari Hysri Peqani gjithashtu ka kanosur të dëmtuarën F.S, derisa ajo i kërkonte shumën e parave prej 2000 euro për kinse për rregullimin e një pune

“Vetëm masa e paraburgimit mund të jetë efektive për vazhdimin e rregullt të kësaj procedure, andaj i kërkojmë gjykatës që të pandehurit t’i caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, deklaroi ai.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarit, avokati Gani Hoxha dhe Skender Morina e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë, duke thënë se nuk qëndron dyshimi për veprat për te cilat dyshohet i mbrojturi i tyre.

“Poashtu nuk ekziston arsyeja dhe baza ligjore që të njëjtit ti caktohet paraburgimi sepse i njëjti ka qenë njëherë në paraburgim, andaj propozojmë që ndaj të njëjtit ti caktohet një masë tjetër alternative”- tha avokati Skender Morina.

I njëjti në mëngjesin e djeshëm është arrestuar nga ana e Policisë.

Policia nën udhëheqjen e Prokurorisë së Prizrenit, kishte bastisur edhe vendin ku dyshohej se Hysri Peqani kryente veprimtari ilegale.

Bëhet e ditur se vitin e kaluar, Hysri Peqani ishtë dënuar me 1 vjet burgim e 5 mijë euro gjobë, për veprën penale të mashtrimit, e gjithashtu gjykata e Prizrenit për tri vitet e ardhshme i’a kishte ndaluar atij ushtrimin e profesionit.