Prokuroria e Gjilanit

Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit të Komunës së Gjilanit, mbrojtja lirimin e tij

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj zyrtarit të Komunës së Gjilanit, Bekim Korça, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Isuf Sadiku tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës sepse gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar pa mëdyshje se i akuzuari e ka kryer veprën penale qe ia vë në barrë akti akuzues.

Prokurori Sadiku i propozoi gjykatës që të akuzuarin Bekim Korça ta shpallë fajtor dhe ta dënojë me dënim meritor sipas Kodit Penal, si dhe ndaj tij të shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Korça, avokati Hamdi Jashari, në fjalën përfundimtare tha se nga të gjitha ato që janë thënë në seancat e kaluara dhe në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, pas administrimit të provave nuk është vërtetuar fakti se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Jashari shtoi se duke u bazuar në provat personale, është vërtetuar që i mbrojturi i tij nuk ka përfituar dobi pasurore për veten, dhe nuk i ka shkaktuar dëm institucionit ku është punësuar, andaj edhe i propozoi gjykatës që të njëjtin ta lirojë nga akuza.

Para se të jepej fjala përfundimtare e palëve, është marr në pyetje i akuzuari Bekim Korça, i cili tha se nuk e pranon fajësinë për akuzat e Prokurorisë së Gjilanit.

Në fund i akuzuari theksoi se asnjëherë nuk ka përfituar nga dikush dhe se në këto raste që i ka lëshuar gabimisht vërtetimet.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datën 5 nëntor, në ora 13:00.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Bekim Korça, në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në vazhdimësi (nga viti 2018 e deri në vitin 2019), ka falsifikuar dokumente zyrtare-vërtetime mbi kryerjen e pjesërishme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta me qëllim që persona të caktuar t`i iknin pagesës së tatimit në pronë.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Korça në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Gjilanit ka lëshuar 6 vërtetime të pavërteta në emër të personave të tjerë, me qëllim që personat të cilëve ua ka lëshuar ato vërtetime mos të paguajnë tatimin në pronë dhe të njëjtat vendime i ka nënshkruar me qëllim të përdorimit të tyre si të vërtetë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Drejt fundit gjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Gjilanit i akuzuar për falsifikim të vërtetimeve tatimore