Arkiv: Oliver Ivanoviq

Prokuroria i reagon Ministres së Drejtësisë në Serbi për hetimet rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar pas deklarimit të Ministres  së Drejtësisë në Republikën e Serbisë, Nela Kuburoviq.

Kjo e fundit është deklaruar lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, ish Kryetar i Iniciativës Qytetare (SDP), duke theksuar se Prishtina ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin, për këtë çështje.

“Prokuroria e Shtetit, pas rastit të ndodhur, i ka paraqitur disa kërkesa organeve kompetente të Republikës së Serbisë, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por deri më tani kemi pranuar vetëm disa informacione, të cilat nuk janë thelbësore për ndriçimin e rastit, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me IMEI, SMS, hartografi, si dhe hyrje/dalje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë e Shtetit.

Zyra ka njoftuar gjithashtu që, ‘me qëllim të bashkëpunimit dhe ndriçimit të tërësishëm të rastit, njëra nga kërkesat është përsëritur, e që ka të bëjë me hyrjet/daljet dhe SMS-të e numrave, që kanë qenë në pronësi të viktimës, Oliver Ivanoviq’

Tutje thuhet se Millan Radoiçiç, është intervistuar nga organet shtetërore të Serbisë, pa kërkesë të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës, ndaj të cilit është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ‘edhe përkundër faktit se në takimet zyrtare mes policisë së Kosovës dhe Serbisë, policia e Serbisë ka deklaruar se nuk e njeh të pandehurin Millan Radoiçiç, me arsyetimin se i njëjti është shtetas i Republikës së Kosovës’.

“Gjithashtu, pala serbe ka kërkuar dhe pranuar nga Policia e Kosovës, klonimin e gëzhojave nga vendi i ngjarjes, mirëpo Prokuroria e Shtetit ende nuk ka pranuar raport për këto ekzaminime. Prokuroria e Shtetit, edhe më tej është e gatshme për bashkëpunim me organet kompetente të Republikës së Serbisë dhe është e përkushtuar për ndriçimin e vrasjes së Oliver Ivanoviq”, thuhet në fund të reagimit.