Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Prokuroria: Hetimet për katër të kthyerit nga Siria kishin nisur më herët

Katër burra , shtetas kosovarë që u kthyen nga Siria janë arrestuar mbrëmë.

Lidhur me ta, Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet nën dyshimet për vepra të terrorizmit dhe pjesëmarrjes në luftëra dhe formacione jashtë territorit të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, hetimet për ta ishin pezulluar për shkak se këta persona kanë qenë të paqasshëm deri më tani që u kthyen në Kosovë.

“Për katër pesona Prokuroria Speciale ka filluar hetimet më parë. Sot pas marrjes së informacioneve kemi marrë vendimin për ndalimin e katër shtetasve që kanë marrë pjesë si luftëtarë në Siri, ata janë në masën e ndalimit dhe shumë shpejt pritet që prokurori kompetent të merr edhe masat ligjore”, tha Kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Prokurori Special, Sylë Hoxha tha se për këta persona ka pasur në fuqi fletëarrest.

Sipas kryeprokurorit Lumezi, prokuroria po heton edhe 156 persona të tjerë për veprat e ngjashme

“Deri më tani për 119 persona kemi ngritur aktakuë ndërsa për 156 persona tjerë jemi në fazën e hetimeve”, tha ai.

Rreth orës 22:30 një aeroplan ateroi mbi Aeroportin Nderkombëtar të Prishtinës  në të cilën gjendeshin burra, gra e fëmijë të rikthyer nga Siria.

Autobusë, ambulanca, e familjarë ishin ardhur për të rikthyerit.

Gra e fëmijë do të përfundonin në Qendrën e Azilit në Vranidoll ndërsa disa burra do të dërgoheshin në Burgun e Sigurisë se Lartë atë të Dyzit.

Për katër orë rresht të rikthyerit qëndronin brenda hapësirës së aeroportit më saktësisht në zonën VIP  në aeroport.

Njësi speciale kishin blinduar portën e aeroportit dhe gjendeshin në çdo cep të saj. Të armatosur po vëzhgonin situatën dhe po krijoni siguri për të rikthyerit.

Rreth orës 02:05 pas mesnatës nën përcjelljen e policisë autobusët në të cilën gjendeshin gratë e fëmijet po merrte rrugë për në Qendrën e Azilit në Vranidoll.

Njëjtë si aeroporti edhe Qendra e azilit ishte blinduar nga policia ndërsa prisnin ardhjen e grave e fëmijëve në këtë qendër.

https://kallxo.com/pritja-e-kosoves-per-te-kthyerit-nga-siria/