Prokuroria: Gani Thaçi është i dyshuar për përleshjen

Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi sot se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për KALLXO.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha për KALLXo.com.

Më herët Policia e Kosovës ka konfirmuar një incident i cili ka ndodhur rreth mesditës sot në Prishtinë në të cilin, siç kanë raportuar mediat, ka qenë i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për KALLXO.com se policia ka marrë një informacion për një përleshje fizike mes tre personave.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, tha zëdhënësja e Policisë.

Incidenti ka ndodhur në selinë e Byrosë Kosovare të Sigurimeve ku punon Gani Thaçi.