Prokuroria e shtetit zotohet se do të jetë e pakompromis ndaj keqpërdoruesve në zgjedhjet në komunat veriore

Në  koordinim me përfaqësuesit e institucioneve e Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KQZ ka mbajtur Programin Orientues të Sigurisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në Komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në këtë takim të përbashkët, institucionet e angazhuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve u zotuan se do të tregohen të pakompromis ndaj atyre që keqpërdorin votën e qytetarit.

Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, tha që procesi i sigurisë në Republikën e Kosovës paraqet një dimension shumë të rëndësishëm.

“Procesi i sigurisë së procesit zgjedhor, në vendin tonë ku ende jemi në fazën e shtetndërtimit paraqet një dimension shumë të rëndësishëm. Sikurse çdo palë zgjedhje që kemi një takim, i tillë është edhe ky sot që do të na mundësoj që të shprehim bashkëpunimin me secilin akter që ka hise në këtë proces”, tha ai.

Në anën tjetër, Afrim Ahmeti drejtor i Departamentit për operacione në Policinë e Kosovës, tregoi gatishmërinë e policisë për mbarë vajtjen e zgjedhjeve.

“Policia e Kosovës së bashku me KQZ-në është duke i bërë përgatitjet e fundit. PK do të jetë e angazhuar gjatë fushatës parazgjedhore për tubimet që do të mbahen, PK do të përkujdeset për materialet zgjedhore, pas përfundimit të zgjedhjeve përcjelljen e materialeve deri në shpalljen e zgjedhjeve. Ditën e zgjedhjeve do të caktojmë hetues policorë që do të jenë të gatshëm ti përgjigjen të gjitha situatave më terren”, tha ai.

Laura Pula, kordinatore nacionale nga zyra kryeprokurorit të shtetit, përmendi masat që prokuroria i ka marrë që të mos ketë vjedhje të votave në këtë proces.

“Ne si prokurori e shtetit jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarit, të njëjtën do ta bëjmë edhe në zgjedhjet e 19 majit. Edhe për këto zgjedhje prokurori i shtetit ka marrë të gjitha veprimet paraprake, bazuar në procedura, edhe në këto zgjedhje do të angazhojmë prokuror që do të kujdestarojnë 24 orë për të siguruar efikasitet në mbrojtjen e votës së qytetarit. Të gjithë jemi dëshmitarë që në vitin 2010 ka pasur vjedhje mafioze të votave, mirëpo me nënshkrimin e memorandumit kemi pasur efikasitet. Ne si prokurori do të jemi të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin votën e qytetarit”, tha ajo.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe do të mbahen më 19 maj, këto zgjedhje vinë si rezultat i dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave në shenjë pakënaqësie për taksën e 100 përqind që Republika e Kosovës e ka vendosur ndaj produkteve serbe.