Protesta e gazetareve Arkiv Foto KALLXO.com

Prokuroria e pranon se dënimet ndaj kërcënuesve të gazetarëve janë të vogla

Vetëm në vitin e kaluar janë 11 raste të sulmeve dhe kanosjeve ndaj gazetarëve sipas të dhënave të Prokurorisë.

Prokurori Besim Kelmendi që është edhe koordinator i rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve thotë se si prokurori nuk janë të kënaqur me dënimet.

“Ne si prokurori nuk i komentojmë vendimet e gjykatave, mirëpo na jepet e drejta me thanë si prokurorë, si palë në procedurë, kur jemi të pakënaqur e shpesh herë na ka ndodhë, bëjmë ankesa kundër vendimeve të Gjykatave, sepse konsiderojmë që edhe më tutje po vazhdojnë dënimet e ulëta për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve. Ne konsiderojmë që dënimet për këto vepra të jenë më të larta”, tha prokurori Besim Kelmendi.

E se dënimet janë të vogla e thonë edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Ajo çka neve nuk na pëlqen është fakti që edhe pse këto raste po arrihen të trajtohen, po janë dënimet mjaftë të ulëta. Kemi rastin e fundit ku është dënuar një kërcënues me 200 euro. Të them të drejtën, po të isha në anën e atij kërcënuesit dhe të dënohesha 200 euro dhe fitimi i atij projekti apo biznesi falë politikës apo lidhjeve të korruptuarave do të ishte me miliona euro, atëherë do të më konvenonte të paguaja jo vetëm 200 euro por edhe 2 mijë euro që t’i mbyllet goja atij gazetari apo mediumi”, tha për “Drejtësia në Kosovë”, Ardiana Thaçi – Mehmeti.

Ndërsa gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Arben Hoti deklaron se dënimet jepen në bazë të ligjeve në fuqi.

Drejtësia në Kosovë këtë të premte ka transmetuar emisionin për “Sigurinë e Gazetarëve”.

Në këtë emision kanë folur gazetarët, shoqatat e gazetarëve, Prokuroria e Gjykatat.