Prokuroria e Gjilanit nis hetimet pas raportimit të KALLXO.com për punësimet partiake në QKMF

Prokuroria Themelore në Gjilan ka filluar hetimet pas publikimit të hulumtimit nga Gazetës “Jeta në Kosovë”, në lidhje me punësimet partiake dhe familjare të LDK-së në konkursin e QKMF-së në Gjilan.

Punësimet partiake dhe familjare të LDK-së në konkursin e QKMF-së në Gjilan

 

“Me datë 17 tetor, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, me vetiniciativë ka filluar hetimin në bazë të artikullit të publikuar në portalin KALLXO.com, “Punësimet partiake dhe familjare të LDK-së në konkursin e QKMF-së në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria ka njoftuar se zyrtarët komunal të komisionit pranues dyshohet se kanë kryer vepër penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritet zyrtar.

Prokuroria ka njoftuar se ka filluar hetimet lidhur me konkursin e hapur nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit, për të siguruar të gjitha të dhënat, përbërjen e komisionit pranues, kandidatët, kriteret e konkursit si dhe provat tjera eventuale.

KALLXO.com me 13 tetor ka raportuar për punësimet partiake në konkursin e hapur nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit  për 3 doktorë, 5 infermierë, 2 teknik laborant dhe 1 teknik i stomatologjisë për nevoja të shëndetësisë primare (QKMF).