Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim për të dyshuarit për zënkën ku u përdorën armë, thikë e sëpatë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar masën e paraburgimit për tre persona, në lidhje me rastin e së dielës (27 janar), kur në një parking të një kafeneje në Gjilan të dyshuarit janë përfshirë në një rrahje.

Gjithmonë sipas Prokurorisë, në parkingun e kafenesë ‘’Astoria’’, në Gjilan, pas një mosmarrëveshjeje, gjatë rrahjes, dy të dyshuarit E.K. dhe A.Xh. i kanë shkaktuar lëndim trupor të pandehurit tjetër G.A. gjatë sulmit ku u përdorën edhe sëpatë dhe thikë.

Po ashtu, E.K. dhe A.Xh, dyshohen se në mënyrë të dhunshme e kanë futur në automjet personin G.A., ku më pas e kanë kërcënuar me fjalë se do ta presin.

E.K. dhe A.Xh. gjenden në masën e ndalimit për 48 orë.

“I pandehuri G.A., në ato momente, me qëllim, që t’i frikësojë të pandehurit e lartshënuar, ka shtënë me armë në ajër, duke shkaktuar rrezik të madh për jetën e qytetarëve të pranishëm. Gjithashtu, të dyshuarit, E.K. dhe A.XH., me thikë dhe sëpatë, kanë gjuajtur në drejtim të të pandehurit G.A., duke shkaktuar rrezik për jetën e qytetarëve, të cilët kishin intervenuar për t’i ndarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, në këtë mënyrë, të dyshuarit E.K. dhe A.Xh., dyshohet se kanë kryer veprat penale lëndim i lehtë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa, i dyshuari G.A, po dyshohet për dy vepra penale – armëmbajtje pa leje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.