Mimoza Kusari- Lila, Ilir Deda, Memli Krasniqi - Foto: Atdhe Mulla

Prokuroria e gatshme për hetime nëse ka pasur falsifikim të nënshkrimeve nga LDK-ja

Në Kuvendin e Kosovës të martën, Grupi Parlamentar i LDK-së, ka përfshirë nënshkrimet e deputetëve Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lilës në kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me mos liberalizimin e vizave, pa dijeninë e deputetëve të Alternativës.

Partitë në pushtet e akuzuan LDK-në se ka manipuluar me nënshkrimet e deputetëve Deda dhe Kusari-Lila, ndërkaq LDK-ja është deklaruar se ky ka qenë një gabim teknik.

Lidhur me këtë çështje, Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka, tha për KALLXO.com se momentalisht nuk kanë filluar asnjë hetim nën  dyshimin për falsifikim të nënshkrimeve nga ana e deputetëve në Kuvend.

“Një herë për një herë nuk e kemi filluar punën sepse mbrëmë kam dëgjuar që nuk ka falsifikim. Nëse ka falsifikim, atëherë ka punë për neve. Momentalisht nuk kemi filluar as hetim. Nëse ka arsye ne do të fillojmë hetimet”, tha Beka.

Ndërsa, deputetja e pavarur nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila tha për KALLXO.com se nënshkrimi i saj dhe bashkëpartiakut të saj Ilir Dedës janë përdorur pa autorizim nga ana e LDK-së.

“Në fakt, është dorëzuar nënshkrimi im dhe i z. Deda që ka qenë në Grup Parlamentar të LDK-së prej më herët. Nuk është kërkuar autorizimi dhe është prezantuar si njëri prej nënshkrimeve të deputetëve. Dhe ne e kemi kuptuar vetëm pasi është bërë publike, në fakt kur është thënë se kush janë deputetët e nënshkruar”, tha ajo.

Kusari-Lila shton se ata nuk kanë bërë as deponim dhe as  tërheqje të nënshkrimeve.

“Nuk është tërheqje e nënshkrimeve por është lëshim ose është përdorim i paautorizuar nga ana e LDK-së.  Ky është keqpërdorim i emrit tonë sepse ne jemi bërë subjekt i krejt kësaj historie pa qenë fare akter, ose pa u pyetur fare nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ajo.

Kurse, deputeti Ilir Deda ka deklaruar se ka ndodhur një gabim ku është përdorur nënshkrimi i tij dhe i Mimoza Kusari-Lilës.

“LDK-ja i ka dërguar shkresë Kuvendit ku e ka informuar që nënshkrimi i Mimozës dhe i imi ka qenë lëshim teknik prej anës së tyre. Paralelisht, unë i kam dërguar shkresë Kuvendit, ku i kam thënë që ne nuk kemi nënshkruar asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme. Nuk kam asgjë kundër seancës, po kish qenë mirë me na pyet a dëshirojmë të jemi pjesë e saj ”, ka thënë Deda mbrëmë në RTV 21.

Megjithatë, Kuvendit i Kosovës mbrëmë, me kërkesë të  40 deputetëve ka zhvilluar debat parlamentar lidhur me “dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mosliberalizim të vizave”.

https://kallxo.com/perfundon-debati-per-deshtimin-e-liberalizimit-te-vizave-rezoluta-votohet-te-enjten/

www.kallxo.com