Gjykimi për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: E akuzuara do të kryente sulm vetëvrasës me autobombë kundër KFOR-it

Në gjykimin për terrorizëm të Bujar Behramit, Resim Kastratit, Gramos Shabanit, Albert Ademajt, Leotrim Musliut dhe Edona Halitit, të cilët po akuzohen se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë, në seancën e sotme është bërë administrimi i provave.

Kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri, së pari njoftoi se ka pranuar raportin nga autoritetet gjermane që ka të bëjë me procedurën hetimore ndaj të akuzuarit Bujar Behrami.

Në lidhje më këtë raport prokurori special Afrim Shefkiu tha se në të janë të përshkruara veprimet inkriminuese të të akuzarit Bujar Behramit, si dhe propozoi që të administrohet si provë.

“Unë besoj që në këtë raport janë të përshkruara të gjitha veprimet inkriminuese, ku janë bërë deklarata të ndryshme, telekomunikime me telegram, të gjitha me rastin e bastisjes së shtëpisë së Behramit. Dhe i njëjti ka përdorur portale,  komunikime online dhe përmes video rrjetit explorer, my history janë gjetur po ashtu kërkimet relevante në procedurën e termave si: sford xhihad, po ashtu janë hetuar me rastin e verifikimit të të dhënave fotot e ruajtura në lidhje me organizatën radikale terroriste “Al Kaida” apo “Shteti islamik””, tha prokurori Shefkiu.

Gjithashtu prokurori propozoi që të administrohet edhe procesverbali mbi dorëzimin e mjeteve – të hollave të konfiskuara të cilat janë dorëzuar në Agjencinë për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe  konfiskuar.

Prova këto që kanë të bëjnë vetëm me të akuzuarin Bujar Behrami.

Mirëpo kundërshtim në lidhje më këto prova pati mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Behrami, avokati Arbër Fazliu.

“Pas pranimit te raportit të dorëzuar nga gjykata  dhe duke parë inkriminimet e të mbrojturit tim në këto prova lidhur me  veprën penale qe i vihet në barrë çdokush është i lirë të hulumtojë në internet ose portale… dhe se as gjetjet e tjera të Policisë, asnjë pikë nuk e inkriminojnë të mbrojturin tim prandaj vlerësoj se edhe këto prova që u administruan sot në raport me të mbrojturin tim janë jorelevante”, tha Fazliu.

Ndërsa propozime pati edhe nga ana e të akuzuarit Resim Kastrati, i cili kërkoi që të sigurohet raporti mbi kalimin kufitar Kosovë-Shqipëri të datës 03.03.2018 dhe 28.03.2018, si dhe të bëhet hartografia, përkatësisht nxjerrja e saj për vendndodhjen ku i njëjti tha se kishte qenë duke biseduar me Albert Ademajn, ku i kishte thënë se gjendet në “Bajram Curr”, në një lagje në Prizren, ndërsa Prokuroria pretendon se i njëjti ka qenë në Bajram Curri, në Shqipëri.

Më pas trupi gjykues aprovoi propozimet e prokurorit Shefkiu si dhe propozimin e të akuzuarit Kastrati.

Kurse seancat e radhës u caktuan për datat 29, 30 dhe 31 korrik.

I akuzuari për terrorizëm i këndonte gruas ‘Niset trimi për xhenet’

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Gramos Shabani ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës, ndërsa bashkëshortja e tij Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Bashkë me dy bashkëshortet po akuzohen edhe Bujar Behrami, i njohur me nofkën ‘Ebu Musab El –Albani’, Resim Kastrati –  me nofkën ‘Pc Habibi’, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Sipas Prokurorisë ky grup i përbëre prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet edhe synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit 2017 e deri më 29 qershor 2018 kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe kisha ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thotë se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Western Union”, thuhet në aktakuzë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Të gjitha raportimet në lidhje me ketë rast mund t’i gjeni në këtë link.